BE-ja reagon ndaj bastisjeve të forcave izraelite në Xhaminë Al-Aksa

“Në këtë periudhë është shumë e rëndësishme që të ruhet statusi historik i vendeve të shenjta”, tha Stano, duke bërë të ditur se BE-ja ka shqetësim të thellë nga dhuna dhe tensioni që u rrit brenda një nate në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa

Komisioni i Bashkimit Evropian (KE) ka reaguar ndaj bastisjes së forcave izraelite në xhaminë Al-Aksa dhe ka kërkuar që të ruhet statusi i vendeve të shenjta, transmeton Anadolu.

Peter Stano, një prej zëdhënësve të KE-së, në një konferencë të rregullt për media tha se BE-ja po ndjek nga shumë afër se çfarë po ndodh në Izrael dhe në territoret palestineze nën pushtim.

“Në këtë periudhë është shumë e rëndësishme që të ruhet statusi historik i vendeve të shenjta”, tha Stano, duke bërë të ditur se BE-ja ka shqetësim të thellë nga dhuna dhe tensioni që u rrit brenda një nate në kompleksin e xhamisë Al-Aksa.

Stano më tej përsëriti thirrjen e BE-së ndaj të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe të distancohen nga veprimet që do të rrisin tensionin i cili aktualisht është i lartë.

Çfarë ka ndodhur?

Mbrëmë, një grup palestinezësh u strehuan në Xhaminë e Kibles brenda kompleksit të Al-Aksasë pas namazit të teravisë, pasi kolonët fanatikë hebrenj bënë thirrje për bastisje në xhaminë Al-Aksa dhe për të bërë kurban këtu për shkak të festës së tyre të shenjtë të Pesah (Pashkë).

Forcat izraelite e shndërruan në fushë beteje faltoren e shenjtë gjatë bastisjes që kryen në Al-Aksa në orët e syfyrit, duke ndërhyrë me forcë ndaj atyre që u strehuan në Xhaminë e Kibles. Forcat izraelite bastisjen e tyre e vazhduan edhe pas namazit të sabahut.

Gjatë bastisjeve u arrestuan mbi 200 persona të strehuar në Xhaminë e Kibles.

Pas bastisjeve që policia izraelite zhvilloi ndaj xhamisë Al-Aksa, nga Rripi i Gazës nën bllokadë u lëshuan raketa në drejtim të Izraelit.

Në një deklaratë nga zyra e zëdhënësit të ushtrisë izraelite thuhet se në drejtim të qytetit Sderot u lëshuan pesë raketa, katër prej tyre janë shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe një raketë ka rënë në tokë të hapur.

Avionët izraelitë në kundërpërgjigje ndaj raketave kryen sulm ajror ndaj dy pikave në perëndim të Rripit të Gazës.

Kategoritë
BotaLajme