BE-ja vlerëson se zgjedhjet lokale në veri të Kosovës “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjatë”

“Ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri”, thuhet në reagimin e BE-së

Bashkimi Evropian (BE) vlerëson se zgjedhjet e mbajtura në katër komunat veriore me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna, raporton Anadolu.

BE-ja nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se institucionet kosovare duhet ta mundësojnë kthimin e përhershëm të serbëve në institucionet kosovare ngase vetëm kjo do të ishte zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna.

“Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit së Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri”, thuhet në reagimin e BE-së.

Sipas BE-së, pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhje tregon se ky proces nuk mund të konsiderohet i zakonshëm ngase “pjesëmarrja në proceset zgjedhore ka për qëllim që të sigurojë zërat e komuniteteve që përfaqësohen nga liderët”.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se me organizmin e zgjedhjeve në veri, institucionet e Kosovës kanë treguar se grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia nuk mund t’i diktojnë proceset kushtetuese në Kosovë.

Osmani ka vlerësuar se Serbia me ndërhyrje të paligjshme kërcënoi e shantazhoi qytetarët e veriut që të mos marrin pjesë në zgjedhje.

Këto komente, sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, Osmani i bëri pas takimit që sot e ka zhvilluar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi.

“Institucionet e Kosovës u mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t’i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Presidentja kosovare ka thënë se angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Kosovë është kundër Marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel.

“Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nga jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare”, shtoi Osmani.

Ministri i komunitetit serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, duke folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, tha se Lista Serbe, e cila nuk mori pjesë në këto zgjedhje, zhvilloi ndikim të vrazhdë që u pasqyrua me dalje të ulët të qytetarëve në zgjedhjet në veri.

“Për fat të keq e kemi parë edhe njëherë që ndikimi i cili zakonisht është i vrazhdë, në këtë aspekt, partia politike e cila përfaqëson presidentin Vuçiq, nuk heziton të bëjë gjithçka që është e mundur që të mbesin në pushtet. Kjo është edhe një dëshmi e prolongimit ose më mirë të them vazhdimit të një udhëheqjeje e cila nuk ka për qëllim interesat e komunitetit serb qoftë në jug apo në veri, por i ka interesat e veta ku zakonisht serbët e Kosovës po përdoren si një mjet i përkohshëm në vazhdim të betejës politike e cila jam i sigurt se do të vazhdojë edhe më 2 maj nëse mbahet ai takim i planifikuar të mbahet në Bruksel”, theksoi Rashiq.

Rashiq tha se zgjedhjet e 23 prillit në komunat veriore ishin legale, por legjitimiteti i tyre në këtë rast gjithmonë do të jetë një sfidë.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore Lëvizja Vetëvendosje fitoi në dy komuna, në Mitrovicën e Veriut me kandidatin Erden Atiq dhe në Leposaviq me Lulzim Hetemin. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës fitoi dy komunat tjera, atë të Zubin Potokut me kandidatin Izmir Zeqiri dhe atë të Zveçanit me Ilir Pecin.

Vetëm 3,47 për qind e 45 mijë e 95 qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat e veriut të Kosovës kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votë.

Kategoritë
BotaLajmeVendi