BE: Kina nuk mund të vlerësohet si kërcënim për sigurinë evropiane si Rusia

Duke folur për marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës, Borrell tha se evropianët edhe pse janë më afër me SHBA-në, duhet të kenë mënyrën e tyre të marrëdhënieve edhe me Kinën

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka deklaruar se Kina nuk mund të vlerësohet si kërcënim për sigurinë evropiane si Rusia, transmeton Anadolu.

Borrell mori pjesë në panelin “Situata e Unionit” e mbajtur nga Instituti i Universitetit Evropian (EUI) në Firence në javën kur çdo vit festohet 9 maji, Dita e Evropës. Ai tha se për shkak të luftës në Ukrainë kanë lënë pas një vit shumë të vështirë.

Ai foli për perceptimet dhe qasjet e ndryshme kundrejt luftës në Evropë dhe tha se Evropa përbëhet nga kombe të ndryshme nga njëri-tjetri dhe se për shkak të afërsisë që vendet baltike kanë me Rusinë mund të ketë dallime mes vendeve të BE-së në perceptimet për luftën në Ukrainë.

Duke theksuar se Evropa duhet të rrisë kapacitetin e mbrojtjes dhe prodhimin e saj industrial, Borrell tha se, “Putin vazhdon ta zhvillojë këtë luftë. Nëse nuk mbështesim Ukrainën, vendi do të bjerë. Është e qartë që ne do të preferonim t‘i shpenzonim këto para për shërbimin social të qytetarëve tanë, por nuk kemi zgjidhje tjetër”.

Lidhur me luftën në Ukrainë, Borrell tha se plani i vetëm i paqes në tryezë për Ukrainën është ai i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

“Kina (plani kinez për paqe) është një ëndërr. Por në çdo rast ju nevojitet dikush që të flasë për paqe, ndërkohë që Putin vazhdon të flasë rreth objektivave të tij ushtarake”, tha ai.

Borrell u shpreh se Pekini mund të ketë një ndikim të madh mbi Moskën dhe se biseda telefonike mes presidentit Zelenskyy dhe presidentit kinez, Xi Jinping, është një zhvillim pozitiv.

Duke folur për marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës, Borrell tha se evropianët edhe pse janë më afër me SHBA-në, duhet të kenë mënyrën e tyre të marrëdhënieve edhe me Kinën.

“Kina është një rival me të cilin BE-ja konkurron, por në të njëjtën kohë ajo nuk mund të vlerësohet si kërcënim për sigurinë evropiane si Rusia. Këtë nuk e kemi thënë asnjëherë për Kinën”, tha Borrell.

Kategoritë
BotaLajme