BE miraton vaksinën ‘Imvanex’ kundër lisë së majmunëve

Zëdhënësi i Komisionit Evropian përgjegjës për shëndetësinë, Stefan de Keersmaecker, për AA konfirmoi se organi ekzekutiv i BE-së miratoi zgjatjen e licencës së marketingut të vaksinës ‘Imvanex’

Komisioni Evropian ka dhënë autorizimin e marketingut për vaksinën e kompanisë farmaceutike daneze ‘Bavarian Nordic’ kundër lisë së majmunit, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Komisionit Evropian përgjegjës për shëndetësinë, Stefan de Keersmaecker, për AA konfirmoi se organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE) miratoi zgjatjen e licencës së marketingut të vaksinës ‘Imvanex’.

Javën e kaluar, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) rekomandoi miratimin pasi vlerësimi i saj shkencor arriti në përfundim se vaksina ‘Imvanex’, e zhvilluar fillimisht kundër lisë, po ashtu është efektive për të mbrojtur të rriturit kundër virusit të lisë së majmunit.

Të shtunën, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e lisë së majmunit e shpalli një emergjencë globale shëndetësore.

Sipas statistikave të OBSH-së, që nga muaji maj virusi ka prekur mbi 16 mijë njerëz në 75 vende.

Lija e majmunit është një virus që shkakton sëmundje me simptoma të ngjashme me linë, por më pak të rënda, përfshirë ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjeve limfatike.

Transmetimi nga njeriu te njeriu është i kufizuar, por mund të transmetohet përmes kontaktit me lëngjet trupore, dëmtimet e lëkurës ose sipërfaqe të brendshme mukoze, si në gojë ose fyt, pika të frymëmarrjes dhe objekte të kontaminuara.

Kategoritë
BotaLajmeShëndetësi