Bashkimi Evropian ka publikuar sot Raportin e Progresit ku jepen vlerësime për vendim për secilën fushë. Në një pjesë të raportit kushtuar dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjeve mes dy shteteve, BE-ja nënvizon nevojën që të dy palët të angazhohen në mënyrë konstruktive, shkruan Gazeta Express.
Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, BE përmend Draftin që ishte propozuar nga Ekipi Menaxhues dhe tregon se ai Draft s’ka qenë në përputhje me marrëveshjet e dialogut.
Për Draftin e hartuar nga Brukseli zyrtar, BE konsideron se është në përpurthje me Kushtetutën e Kosovës dhe i bazuar në praktikat më të mira evropiane, duke kërkuar kështu themelimin e tij pa vonesa.
“Ende nuk ka pasur përparim të mëtejshëm në zbatimin e Marrëveshjes së gushtit 2015, e cila përcaktoi parimet për krijimin e Asociacionit. Ndërsa BE-ja mirëpriti prezantimin e një draft-statuti të parë të Asociacionit në Dialogun e Nivelit të Lartë në maj 2023 nga Ekipi Menaxhues, drafti nuk ishte në përputhje me Marrëveshjet përkatëse të Dialogut. Prandaj, një propozim evropian për themelimin e A/CSM në Kosovë iu paraqit palëve më 21 tetor 2023. Ky propozim bazohet në standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe plotësisht në përputhje me kornizën kushtetuese të Kosovës. Kosovës dhe Serbisë tani i kërkohet që të angazhohen në mënyrë konstruktive në krijimin e A/CSM pa vonesa të mëtejshme. Ky detyrim është pjesë e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve, në të cilën palët pritet të avancojnë, siç kujtohet nga Këshilli Evropian në tetor 2023. Çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të adresohet në të njëjtin kontekst dhe jo përmes masave të njëanshme dhe të pakoordinuara”, theksohet në raport.