Rritja e konkurrencës ekonomike pas pandemisë COVID-19 do të jetë një sfidë për Kosovën dhe për këtë kërkohet nga Qeveria e re që me prioritet dhe përkushtim të çojë përpara agjendën për ndryshime thelbësore ekonomike dhe sociale.
Kështu është thënë sot në konferencën “Rritja e konkurrencës ekonomike të Kosovës në periudhën pas COVID-19” të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë në Prishtinë që u zhvillua në kuadër të “Javës të Industrisë së BE-së 2021”.
Zëvendësshefi i Zyrës së BE-së, Riccardo Serri theksoi se Kriza e tanishme është e tmerrshme, dhe janë duke paguar për këtë, mirëpo sipas tij është edhe një mundësi për të rishikuar realitetin ekonomik, social, e industrial të Bashkimit Evropian.
Serri theksoi se objektivat e politikës që do të formësojnë të ardhmen e Bashkimit Evropian (BE), do ta formësojnë po ashtu edhe të ardhmen e ekonomisë së Ballkanit perëndimor. Teksa shtoi se kërkohet vullnet politik për të adresuar sfidat ekonomike.
Serri: Kërkohet vullnet politik për të adresuar sfidat ekonomike
“Përkushtimi i Kosovës në rrugën evropiane, politika tregtare, lidhjet e investimit me Bashkimin Evropian, e vendosin Kosovën në një vend ideal për të mundësuar këtë tranzicion të gjelbër dhe digjital. Kjo nuk do të jetë e lehtë, nënkupton ndryshime thelbësore ekonomike dhe sociale për të cilat Kosova duhet të merr përgjegjësi. Duhet të ketë po ashtu edhe vullnet politik për të adresuar këto sfida. Kosova ka qeveri të re, kështu që ju uroj çdo të mirë. Dhe i uroj qeverisë në marrjen e përgjegjësisë për të çuar përpara agjendën të cilën po e diskutojmë sot në këtë debat. Urojmë që të kemi bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe t’i konkretizojmë këto prioritete në të ardhmen”, tha Serri.
Ndërsa, kryetari i Bordit të Këshilli të Investitorëve Evropianë, Visar Ramajli tha se është e rëndësishme të potencohet se BE është duke planifikuar riformësimin e industrisë së saj, duke shkuar nga ekonomia më e qëndrueshme dhe ekologjike.
Për këtë Ramajli theksoi se edhe Kosova mund ta përdor këtë mundësi që të jetë pjesë e iniciativës evropiane, dhe beson që edhe Kosova mund ta riformësojmë strukturën tonë ekonomike, duke lëvizur nga tregtia drejt industrisë.
Ramajli: Kosova mund ta ringjallë industrinë e saj, duke rikonstruktuar ekonominë e saj
“Besoj se Kosova mund ta ringjallë industrinë e saj, duke rikonstruktuar ekonominë e saj. Ne kemi nevojë për partner në këtë rrugëtim tonin, dhe BE është partneri më i mirë që mund ta kemi për të rritur industrinë në Kosovë. Kosova, burimin më të mirë të saj e ka rininë, dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë pasuri për ta çuar ekonominë përpara, si veçanërisht duke u përqendruar në industri. Shpresojmë se dot të jemi pjesë e iniciativave të BE-së pas pandemisë për të riformësuar industrinë e saj”, theksoi Ramajli.
Jeton Zulfaj nga Zyra e kryeministri i pjesëmarrës në këtë tryezë theksoi se avancimi i raporteve të Kosovës me Bashkimin Evropian mbetet prioriteti kryesor i qeverisë, siç tha ai pengesat e padrejta duhet të largohen, për të pasur shkëmbim plotësisht të lirë me BE-në.
Ramajli tha se Bashkimi Evropian është donatori kryesor i Kosovës dhe partneri kryesor sa i përket tregtisë, në 2019, importi nga BE përbënte 50% e mallrave, kurse eksporti i mallrave për në BE ishte 36%.
Zulfaj: Pengesat e padrejta duhet të hiqen, për të pasur shkëmbim plotësisht të lirë me BE-në
“Pengesat e padrejta duhet të hiqen, për të pasur shkëmbim plotësisht të lirë. BE mbetet investitori më i madh në Kosovë. Më 2019, investimet direkte ishin sikur ato të vitit paraprak, një vlerë prej 272 milionë, apo 4% të PBB-së. Kryeministri ka bërë thirrje që të investohet në industrinë minerare, në mënyrë të përgjegjshme, duke ruajtur ambientin, sepse Kosova është e pasur me minerale”, tha Zulfaj.
Ai po ashtu ka ftuar investitorët që të investojnë në sektorin e turizmit, e po ashtu edhe fusha e teknologjisë informative që ka potencial të madh për zhvillim dhe punësim./I. Shabani/