Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet në Serbi, si për pengimin e punës së Parlamentit, ashtu edhe për ndërhyrjet në punën e organizatave të shoqërisë civile.
“Jemi shumë të shqetësuar për pengimin e punës parlamentar dhe dhunës në Parlament. Parlamenti duhet të jetë vend për debat demokratik në interes të qytetarëve dhe ai duhet ta ushtrojë rolin e vet të plotë”, tha një zëdhënës i BE-së përmes një njoftimi për media.
“Zhvillimet e fundit në Serbi, të drejtuara ndaj organizatave të shoqërisë civile janë po ashtu shqetësuese. Shoqëria civile luan një rol vital në zhvillimet e demokracisë dhe shoqërisë pluraliste”, shtohet në njoftim.
Më 4 mars, seanca plenare në Serbi u përshkua me incidente, pasi deputetët e opozitës lëshuan dy herë bomba tymi dhe mjete piroteknike, teksa partitë e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi.
Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetares, aktivizuan bomba me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.
Gjatë incidentit janë lënduar tre deputetë që ishin në sallë, përfshirë një deputete që është raportuar se ka pësuar “goditje në tru” dhe është “në rrezik për jetë”.
Bashkimi Evropian tha se i fton të gjitha palët që përmes dialogut t’i adresojnë shqetësimet që kanë.
“Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje për uljen e tensioneve, duke krijuar kushte për një dialog gjithëpërfshirës nga të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë aktorët politikë, institucionet dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile për të adresuar reformat e domosdoshme për të ardhmen e Serbisë në BE”, u tha në reagimin e BE-së lidhur me zhvillimet e fundit në Serbi.
Gjatë seancës plenare më 4 mars, partitë në pushtet në Serbi refuzuan kërkesën e opozitës që të diskutohej vetëm për ndryshimet në Ligjin për arsimin e lartë. Kjo është kërkesë e studentëve që po protestojnë në Serbi që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Qeveria serbe pretendon se ka plotësuar kërkesat e studentëve protestues. Por, studentët thonë se bllokadat dhe protestat e tyre do të vazhdojnë dhe se grupet e ekspertëve do të përcaktojnë nëse kërkesat janë plotësuar ose jo.
Pas ngjarjeve në Parlamentin serb, Prokuroria Themelore në Beograd tha se i ka kërkuar policisë që të mbledhë informatat e nevojshme për këtë ngjarje. /REL