BE: Shtetet anëtare nuk duan përshkallëzim të situatës për targat, Kosova dhe Serbia të përmbahen

Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare nuk duan përshkallëzim të situatës teksa po afrohet 31 tetori që është edhe afati i fundit për ndërrimin e targave me inicialet e qyteteve të Kosovës nga periudha e para luftës, me ato RKS.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Klankosova.tv thotë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga hapat përshkallëzues.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet e saj anëtare presin që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga hapat e njëanshëm, përshkallëzues dhe të përqendrojnë të gjithë energjinë dhe përpjekjet në arritjen e përparimit në dialog për ta çuar atë përpara drejt qëllimit përfundimtar të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Stano, mes tjerash, tha se parandalimi i përshkallëzimit mes dy vendeve mund të arrihet vetëm përmes dialogut

“Progresi në dialog është mënyra më e mirë për të parandaluar përshkallëzimin që dëmton vetëm njerëzit në të dyja anët”, theksoi Stano

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme, pas përfundimit të Samitit për Ballkanin Perëndimor në Prishtinë, ishte i prerë se vendimi për riregjistrimin e të gjitha veturave me targa RKS nuk shtyhet më pasi i njëjti vendim u shty një herë në fund të shtatorit.

“Ne vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit, mes tjerash, tha se ky vendim nuk është kundër serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos kursyer energjinë dhe dijen tonë. Këto nuk janë masa kundër serbëve, përkundrazi janë masa për serbët që u ofrojnë lehtësime financiare. Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë. Nuk mund të jemi të barabartë kur dikush ka targa RKS e dikush dëshiron t’i mbajë KM”.

“Nuk është as hakmarrje, as inat, por është zbatim i ligjit që nuk i diskriminon njerëzit në bazë të përkatësisë etnike”, deklaroi Kurti.

Pos Bashkimit Evropian, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duan përshkallëzim të situatës me vendimin për targat.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, sot ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara synojnë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.

Mes tjerash, Ambasada ka thënë se SHBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, besojnë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, dhe në se në parim, nuk kanë mospajtime për të.

“Megjithatë, ne kemi kërkuar, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, një shtyrje dhjetëmujore për zbatim të vendimit”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës.

Për këtë çështje ka folur edhe Ned Price, zëdhënës i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, gjatë ditës së martë (25 tetor). Ai i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që çështjen e targave ta zgjidhin në mënyrë paqësore.

“Mesazhi ynë për këtë ka qenë konsistent. Ne e mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Price.

Mes tjerash, ai tha se Blinkeni ka folur edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga të cilët kërkoi angazhim të vazhdueshëm për të siguruar paqe dhe stabilitet, njofton Klankosova.tv.

“Kjo është arsyeja pse Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor, besoj se ishte. Ai nënvizoi mbështetjen tonë për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ai kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, tha Price

Kategoritë
BotaLajme