Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se mbështesin GJNP-në dhe se të gjitha vendet anëtare të BE-së janë të detyruara të respektojnë urdhër-arrestet kundër kryeministrit izraelit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano tha se mbështesin Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) dhe se të gjitha vendet anëtare të BE-së janë të detyruara të respektojnë urdhër-arrestet kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, raporton Anadolu.
Në përgjigjen e tij ndaj pyetjes së gazetarit të Anadolu-s, Stano tha se Komisioni Evropian (KE) ka marrë parasysh urdhrat e arrestit të GJNP-së për Netanyahun dhe Gallantin.
“BE-ja dhe vendet e saj anëtare janë të përkushtuara fuqishëm ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe luftës kundër mosndëshkimit. Ne mbështesim GJNP-në dhe parimet e përcaktuara në Statutin e Romës. BE-ja respekton pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës”, tha Stano.
“BE-ja rikujton se GJNP-ja është institucion i rëndësishëm ndërkombëtar dhe i pavarur. Mandati i tij është të ndjekë penalisht krimet më të rënda sipas ligjit ndërkombëtar. Të gjitha vendet që kanë ratifikuar Statutin e Romës, i cili mbulon të gjitha vendet anëtare të BE-së, janë të detyruara të ekzekutojnë urdhër-arrestet e lëshuara nga GJNP-ja”, theksoi Stano.
GJNP-ja lëshoi urdhër-arrest për kryeministrin izraelit Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Gallant më 21 nëntor. Disa vende të BE-së, veçanërisht Hungaria, Austria, Çekia dhe Gjermania shprehën pakënaqësinë e tyre për vendimin dhe deklaruan se mund të mos e respektojnë atë.