BE thirrje Izraelit për hetim transparent lidhur me vdekjen e të burgosurit palestinez

BE-ja u bën thirrje autoriteteve izraelite të fillojnë hetim transparent lidhur me vdekjen e të burgosurit palestinez Khader Adnan në një burg izraelit pas një greve urie prej 87 ditësh

Bashkimi Evropian (BE) u bëri thirrje autoriteteve izraelite të fillojnë hetim transparent lidhur me vdekjen e të burgosurit palestinez Khader Adnan në një burg izraelit pas një greve urie prej 87 ditësh, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano tha se BE-ja është në dijeni për vdekjen e të burgosurit palestinez Khader Adnan dhe në lidhje me rastin është në kontakt me autoritetet përkatëse izraelite, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe shtetin izraelit.

“Bëjmë thirrje që të zhvillohen hetime në mënyrë transparente për vdekjen e Khader Adnan dhe rrethanave që shkaktuan vdekjen e tij”, deklaroi Stano duke shtuar se BE-ja i fton të gjitha shtetet të respektojnë të drejtat e njeriut të të burgosurve.

“Thirrjet e grupeve të armatosura palestineze për kundërpërgjigje janë të papranueshme. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të pengojnë çdo përshkallëzim që mund të çojë në vuajtje dhe vdekje të mëtejshme në një situatë e cila aktualisht është e paqëndrueshme. Nëse vazhdon ashtu sikurse po e shohim, ne që tani dënojmë raketat e lëshuara ndaj Izraelit. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale”, tha Stano.

– Khader Adnan filloi grevën e urisë më 5 shkurt

Khader Adnan me qëllim reagimi ndaj paraburgimit administrativ të tij, hyri në grevë urie për 66 ditë në vitin 2012, ndërsa 52 ditë në vitin 2015, 59 ditë në vitin 2018 dhe 25 ditë në vitin 2021. Adnan e filloi grevën e urisë më 5 shkurt.

44-vjeçari Adnan i akuzuar nga Izraeli për anëtarësim në Lëvizjen e Xhihadit Islamik dhe pjesëmarrje në aktivitete kundër Izraelit, që nga viti 2012 e deri më sot ishte arrestuar dhe burgosur shumë herë me praktikën e “arrestimit administrativ”.

Kategoritë
BotaLajme