Bashkimi Evropian ka reaguar pas veprimeve të sotme të Qeverisë së Kosovës në nivel të vendit për mbylljen e institucioneve paralele
BE ka thënë se “Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i është duke monitoruar sjelljen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij”
“Statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.Kosova duhet të demonstrojë dhe të qëndrojë konsistente me detyrimet e saj në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe riangazhimit të saj të fundit ndaj tij”, vijon reagimi.
Në fund, Brukseli zyrtar thotë se këto veprime të Kosovës s’ndihmojnë heqjen e masave, që BE ka thënë se do t’i heqë paralelisht me veprimet që duhet t’i ndërmarrë Kosova.
“Përderisa, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të vitit 2024 për zgjerimin, BE-ja gradualisht do të heqë masat ndaj Kosovës paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri, këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”, përfundon reagimi.