“Presidenti Zelenskyy u zgjodh në zgjedhje legjitime, të lira, të ndershme dhe demokratike. Ukraina është një demokraci. Ndërsa Rusia e Putinit nuk është”, tha zëdhënësi i KE-së, Stefan de Keersmaecker
Një nga zëdhënësit e Komisionit Evropian (KE), Stefan de Keersmaecker tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u zgjodh me rrugë demokratike ndërsa Rusia nën qeverisjen e presidentit Vladimir Putin nuk është vend demokratik, transmeton Anadolu.
Në një konferencë për media, De Keersmaecker iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me cilësimin e Zelenskyyt si “diktator” nga presidentit amerikan Donald Trump.
“Presidenti Zelenskyy u zgjodh në zgjedhje legjitime, të lira, të ndershme dhe demokratike. Ukraina është një demokraci. Ndërsa Rusia e Putinit nuk është. Sa i përket informacionit të përdorur nga zyrtarët amerikanë, sigurisht që nuk mund të ndaj asnjë informacion për këtë çështje. Për këtë duhet t’i pyesni ata”, tha De Keersmaecker.
Presidenti amerikan Trump, dje kritikoi Zelenskyyn për mosmbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë, duke thënë: “Zelenskyy i cili është një diktator që nuk mban zgjedhje, do të jetë mirë të veprojë shpejt ose do të humbasë vendin e tij”.