Begaj: BeH dhe Shqipëria do të punojnë për hapjen e ambasadave në Tiranë dhe Sarajevë

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Denis Beqiroviq dhe anëtarët e Presidencës Zheljko Komshiq dhe Zheljka Cvijanoviç u takuan sot në Sarajevë me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Denis Beqiroviq dhe anëtarët e Presidencës Zheljko Komshiq dhe Zheljka Cvijanoviq u takuan sot në Sarajevë me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, përfshirë hapjen e ambasadave në Sarajevë dhe Tiranë, bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet ekonomike dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, raporton Anadolu.

Beqiroviq falënderoi miqtë e tij nga Republika e Shqipërisë për ndihmën që i dhanë Bosnjë e Hercegovinës në vitet dhe dekadat e mëparshme, veçanërisht për ndihmën pas përmbytjeve që goditën së fundmi BeH-në si dhe për mbështetjen e miratimit të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.

“Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka vendosur që vizita e tij e parë në rajon të jetë në Bosnjë e Hercegovinë. Mendoj se ky është mesazh i rëndësishëm dhe i mirë që i afron më tej dy vendet tona. Është shumë e rëndësishme që ne të themi shumë qartë sot se për Bosnjë e Hercegovinën, kur bëhet fjalë për rajonin, Shqipëria është aleate dhe mike strategjike”, tha Beqiroviq.

Ai kujtoi se BeH dhe Shqipëria kanë marrëdhënie dypalëshe që nga viti 1992, kur kanë vendosur marrëdhënie të plota diplomatike dhe që nga ajo kohë kanë forcuar marrëdhëniet e përgjithshme.

– Linja ajrore Tiranë – Sarajevë

“Një faktor shumë i rëndësishëm që do të forcojë marrëdhëniet mes Bosnjë e Hercegovinës dhe Shqipërisë është fakti se Presidenca e BeH-së mori një vendim për hapjen e ambasadës në Tiranë disa vite më parë. Hapja e ambasadës së Shqipërisë në Sarajevë dhe Bosnjë e Hercegovinës në Tiranë, sigurisht që do të forcojë komunikimin diplomatik dhe çdo komunikim tjetër mes vendeve tona”, tha ai.

Ai theksoi se u diskutua për nevojën e intensifikimit të lëvizjeve që kontribuojnë në një lidhje më të mirë komunikimi midis Bosnjë e Hercegovinës dhe Shqipërisë.

“Në këtë kuptim dhe në këtë takim thashë se është shumë e rëndësishme që autoritetet shtetërore të BeH-së dhe Shqipërisë të intensifikojnë, së bashku me miqtë tanë nga Mali i Zi, të krijojnë komunikim modern në relacionin Sarajevë – Podgoricë – Tiranë”, tha Beqiroviq.

Gjithashtu u diskutua për një linjë ajrore direkte në relacionin Sarajevë – Tiranë, e cila është e rëndësishme për lidhjen e biznesmenëve, për shkëmbimin më të madh në të gjitha fushat dhe për një ardhje më të mirë të turistëve.

Beqiroviq tha se synimet strategjike të politikës së jashtme të BeH-së dhe Shqipërisë janë pothuajse identike, si dhe theksoi se hapësira për bashkëpunim ekonomik është e madhe dhe se në periudhën e ardhshme është e nevojshme të vazhdohen trendet ekzistuese nga tre vitet e fundit.

– Zhvillimi i marrëdhënieve në rajon

Anëtarja e Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq tha se është biseduar për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke theksuar se ekziston mundësia e zhvillimit të bashkëpunimit të mirë mes universiteteve, odave ekonomike dhe organizatave turistike, ku efektet mund të shihen shpejt.

“Ne biseduam se çfarë mund të bëjmë së bashku në rrugëtimin tonë drejt BE-së dhe të gjitha këto vende të këtij rajoni kanë identifikuar disi se një vit i synuar mund të jetë viti 2030. Do të shohim nëse kjo është realiste për sa i përket anëtarësimit, por, në çdo rast, edhe kjo është një fushë që na jep shumë mundësi për të bashkëpunuar së bashku dhe i jam mirënjohëse për mbështetjen dhe dëshirën për bashkëpunim të shprehur nga presidenti Begaj”, tha Cvijanoviq.

Ajo shtoi se beson se “do të duhet të presim ende për t’u anëtarësuar në BE, por kjo është arsyeja pse është më e rëndësishme të zhvillojmë marrëdhëniet tona në nivel rajonal dhe të eliminojmë të gjitha mospërputhjet që ekzistojnë”.

Anëtari i Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq tha se marrëdhëniet politike mes BeH-së dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera, por se ato nuk shoqërohen me marrëdhënie të zhvilluara ekonomike, për të cilat të dy vendet duhet të punojnë.

“I urojmë çdo sukses Republikës së Shqipërisë në rrugën evropiane. Mendojmë se çdo sukses i juaji është sinjal shumë i mirë edhe për Bosnjë e Hercegovinën, siç ia urojmë, natyrisht, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Përvoja juaj dhe e vendeve të tjera që përmenda mund të jetë shumë e vlefshme për Bosnjë e Hercegovinën”, tha Komshiq.

– E ardhmja e përbashkët në BE

Pas takimit me anëtarët e Presidencës së BeH-së, Begaj tha se të dy vendet gëzojnë marrëdhënie tradicionalisht miqësore. Ai vuri në dukje se pakica boshnjake jeton në Shqipëri që nga kohërat e lashta, ashtu si në BeH ekziston “komuniteti shqiptar i mirëintegruar dhe i respektuar, i cili përbëhet nga punëtorë, artizanë, tregtarë, avokatë, artistë, mjekë, ushtarë, inxhinierë, farmacistë, gazetarë dhe shumë biznesmenë”.

“Në Shqipëri komuniteti boshnjak njihet si minoritet, i cili gëzon të drejta gjuhësore, kulturore dhe fetare”, tha Begaj dhe shtoi: “Jam i lumtur që vizita ime në Sarajevë po bëhet teksa po diskutojmë për rihapjen e ambasadave në kryeqytetet tona. Vlerësoj faktin që kjo do të bëhet në të dyja vendet dhe në mënyrë të koordinuar. Jam i bindur se ky hap, megjithëse me vonesë, do të çojë në përmirësimin e kontakteve mes qytetarëve të vendeve tona”.

Ai vlerësoi se dy vendet ndajnë të kaluarën e përbashkët rajonale dhe synojnë të ardhme të përbashkët brenda Bashkimit Evropian, i cili siç tha ai, është alternativa e vetme për një jetë më të mirë për qytetarët e BeH-së dhe Shqipërisë.

“Ne i përkasim asaj familjeje gjeografikisht, por ndajmë edhe të njëjtat vlera. Në takimin e sotëm konfirmova edhe një herë gatishmërinë e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit politik dhe diplomatik. Gjithashtu shpreha mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH-së si dhe përparimin e BeH-së në rrugën euro-atlantike. Rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të përballet me kërcënime reale për sigurinë dhe stabilitetin. Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha Begaj.

Presidenti shqiptar potencoi rëndësinë e vendosjes së një linje ajrore midis Sarajevës dhe Tiranës dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, përfshirë autostradën Adriatiko-Joniane.

Kategoritë
LajmeRajoni