BeH, arrestohet ministri Millosh Luçiq për korrupsion

I dyshuari Luçiq është nën hetime të Prokurorisë së BeH-së dhe dyshohet për veprën penale të shpërdorimit të pozitës apo autoritetit, lidhur me disa vepra penale korruptive, të cilat i kanë dëmtuar fondet buxhetore të BeH-së

Me urdhër të prokurorit të Departamentit të Posaçëm për Krim të Organizuar, Ekonomik dhe Korrupsionin, efektivët policisë së Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Sërpska, kryen operacion për ndalimin e të dyshuarit Millosh Luçiq, ministër aktual për të drejtat e njeriut dhe refugjatët në Këshillin e Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, njoftoi Prokuroria e BeH-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Krahas privimit nga liria, po kontrollohen ambientet e zyrës si dhe banesa e të dyshuarit dhe objekte të tjera për gjetjen e provave për veprat penale të kryera.

I dyshuari Luçiq është nën hetime të Prokurorisë së BeH-së dhe dyshohet për veprën penale të shpërdorimit të pozitës apo autoritetit, lidhur me disa vepra penale korruptive, të cilat i kanë dëmtuar fondet buxhetore të BeH-së dhe përvetësim të pasurisë së paligjshme, përfitime për të dyshuarin dhe personat e tij të afërt dhe të lidhur.

Nga hetimet e deritashme, janë mbledhur prova se i dyshuari ka kryer keqpërdorime të rënda në sferën e shpenzimit të mjeteve të dedikuara për shpenzime, duke servisuar në mënyrë të paligjshme automjetet tek persona të paautorizuar, ka kryer keqpërdorime gjatë punësimit, si dhe një sërë paligjshmërish të tjera që mbulohen nga hetimi, thekson Zyra e Prokurorit të BeH-së.

Prokurori dhe hetuesi i Zyrës së Prokurorit të BeH-së koordinojnë aktivitetet e autoriteteve policore dhe përcaktojnë aktivitetet e mëtejshme hetimore që do të ndërmerren.

I dyshuari i shoqëruar nga SIPA brenda afatit ligjor do t’i dorëzohet prokurorit në detyrë, i cili pas marrjes në pyetje të të dyshuarit do të vendosë për veprime të mëtejshme.

Kategoritë
LajmeRajoni