BeH, përkujtohet masakra e 71 të rinjve në Tuzëll

Mbrëmë në Tuzëll u aktivizuan sirenat për të shënuar masakrën e 71 të rinjve që humbën jetën nga granatat e ushtrisë së Republikës Sërpska.

Përkujtimi i sivjetmë i përvjetorit të masakrës së Portës (Kapija), që u krye më 25 maj 1995 nga pjesëtarët e Grupit Taktik Ozren të Ushtrisë së Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) filloi me aktivizimin e sirenës në orën 20:55, raporton Anadolu.

Sirena u dëgjua në kohën kur Novak Gjukiq urdhëroi ushtarët e tij të gjuanin me raketa qendrën e qytetit të Tuzllës. Nga shpërthimi i granatës mbetën të vrarë 71 të rinj e të reja dhe mbi 100 persona pësuan plagë të rënda dhe të lehta.

Pikërisht kur sirena ndaloi mbrëmjen e djeshme dhe kur burrat dhe gratë nisën të vendosnin lule, në pllajën e Portës ra një shi i fortë, të cilin shumëkush e komentoi me fjalët se edhe qielli qau për shuarjen e të rinjve të Tuzllës.

Novak Gjukiq ishte përgjegjës për krimin kundër civilëve të Tuzllës. Fillimisht ai u dënua me 25 vjet burg ndërsa në procedurë të përsëritur para Gjykatës së BeH-së u dënua me 20 vjet burg. Aktgjykimin e shkallës së dytë e priti në liri dhe më pas u arratis në Serbi ku ndodhet edhe sot. Ndaj tij është lëshuar fletarrest ndërkombëtar, por Gjukiq ka dy shtetësi dhe Serbia nuk do ta gjykojë para organeve të saj gjyqësore, sepse ka vlerësuar se ai nuk është në gjendje të ndjekë gjykimin.

Asnjë nga ushtarët e tij kurrë nuk u ndoqën penalisht për krimin në Portë.

Kategoritë
LajmeRajoni