Bëhet fjalë për një sukses të madh të industrisë ushtarake turke: Avioni luftarak Hurjet e kaloi shpejtësinë e zërit

Avioni i lehtë luftarak vendas turk Hurjet, i zhvilluar nga Industria Turke e Aviacionit (TAI), realizoi me sukses fluturimin e tij të parë supersonik të hënën.

Guvernatori i Ankarasë më parë kishte njoftuar përmes rrjeteve sociale se avioni do të kryente një fluturim provë “në mënyrë të planifikuar dhe të kontrolluar” midis orës 9:30 dhe 10:30 të hënën, duke paralajmëruar qytetarët “që të mos ndiejnë ankth dhe panik.”

Avioni u ngrit nga baza ajrore ushtarake Mürted në orën 9:45 dhe, sipas raportit të NTV, Hurjeti për herë të parë e kaloi shpejtësinë e zërit dhe zbriti i sigurt në orën 10:23, pasi kaloi 38 minuta në ajër.

Gjatë fluturimit, Hurjetin e shoqëroi një avion luftarak F-16, i cili u ngrit së bashku me të. Shpejtësia supersonike është shpejtësia e një objekti që kalon shpejtësinë e zërit (Mach 1).

Me një motor dhe një kabinë tandeme, Hurjeti do të bëhet pjesë kyçe e inventarit të Forcave Ajrore Turke, falë performancës së tij të lartë.

Projekti i zhvillimit të Hurjetit u nis në gusht 2017, dhe prototipi u prezantua në Farnborough International Airshow në vitin 2018.

Ky projekt u nis për të zëvendësuar avionët T-38 që ushtria turke i përdor për stërvitje dhe avionët F-5 që përdoren në fluturime akrobatike, si dhe për klientë potencialë ndërkombëtarë. Hurjeti realizoi fluturimin e tij të parë me sukses në prill të vitit të kaluar.

Avioni është 13.4 metra i gjatë, me një hapje krahësh prej 9.5 metrash dhe një lartësi prej 5.1 metrash.

Avioni mund të arrijë një lartësi maksimale prej 45,000 këmbësh (13.7 kilometra), ka një kapacitet ngarkese prej 2,721 kilogramësh (6,000 paund) dhe një shpejtësi maksimale prej 1.4 Mach.

Raportet e fundit të mediave kanë përmendur interesimin e Spanjës për Hurjetin, duke përmendur se negociatat e avancuara janë në zhvillim për një shkëmbim të mundshëm të avionëve. Hurjeti gjithashtu u prezantua muajin e kaluar në Aeromitingun Ndërkombëtar në Egjipt.

Kategoritë
BotaLajme