Belgjikë, qyteti Liege miraton thirrjen për bojkot ndaj Izraelit

Në rezolutë përfshihet “pezullimi i përkohshëm i të gjitha marrëdhënieve me shtetin dhe institucionet e Izraelit deri në përfundimin e dhunës sistematike të autoriteteve izraelite kundër popullit të Palestinës”

Këshilli bashkiak i qytetit Liege në lindje të Belgjikës ka miratuar mocionin që përfshin thirrjen për të bojkotuar Izraelin, transmeton Anadolu.

Mocioni u dorëzua në këshillin bashkiak të qytetit të tretë më të madh të Belgjikës nga Partia e Punës dhe u mbështet nga Partia Socialiste dhe disa parti të vogla lokale.

Në rezolutë përfshihet “pezullimi i përkohshëm i të gjitha marrëdhënieve me shtetin dhe institucionet e Izraelit deri në përfundimin e dhunës sistematike të autoriteteve izraelite kundër popullit të Palestinës”.

Pranimi i mocionit që nuk ka ekuivalencë në zbatim, por që ka rëndësi simbolike, u mirëprit nga Unioni i Palestinezëve Belgë (ABP). Në një deklaratë të ABP-së, vendimi u cilësua si “historik”

“Vendimi i qytetit Liege, shpresojmë që të jetë frymëzim edhe për bashkitë e tjera në Belgjikë, Evropë dhe në botë që një regjim aparteid të mos mbështetet”, thuhet më tej në deklaratë.

Nga ana tjetër, ambasada izraelite reagoi ndaj vendimi të bashkisë. Ambasadorja Idit Rosenzweig-Abu në një deklaratë për shtypin belg ka bërë të ditur se forcat radikale kanë vendosur nën ndikimin e tyre me “gënjeshtra” anëtarët e këshillit të bashkisë Liege, se vendimi i marrë është larg nga e vërteta dhe se është i dëmshëm për palestinezët dhe izraelitët dhe interesat ekonomike të qytetit Liege.

Njoftohet se bashkia e qytetit Liege nuk ka marrëdhënie zyrtare me Izraelin ose ambasadën izraelite në Bruksel.

Edhe dy vite më parë, bashkia Liege miratoi një tekst për të mos u dhënë punë kompanive që kanë lidhje me pushtimin e territoreve palestineze.

Sipas informacionit që ABP ka dhënë, qyteti Liege i Belgjikës pas Barcelonës në Spanjë dhe Oslo-s në Norvegji është bashkia e tretë që merr vendim për bojkot ndaj Izraelit.

Kategoritë
BotaLajme