Belgjikë, sindikatat hyjnë në grevë për të protestuar kundër kostos së larta të jetesës

Sindikatat në Belgjikë kërkojnë çmim tavan për energjinë elektrike dhe gazin natyror, përmirësimin e pagave si dhe që rritja e pagave të vazhdohet automatikisht me indeksimin e inflacionit

Sindikatat e punëtorëve në Belgjikë kanë hyrë në grevë për të protestuar kundër kostos së lartë të jetesës, kryesisht kundër rritjes së çmimit të energjisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Për shkak të grevës, transporti publik arriti në pikën e ndalimit në shumë rajone të vendit. Në shumë qytete kryesisht në kryeqytetin Bruksel nuk janë kryer udhëtimet me autobus, tren, tramvaj dhe metro. Për shkak të ndërprerjeve në transportin publik, u shënuan bllokime të trafikut në shumë rajone.

Nga grevat u prekën edhe aeroportet, ku në aeroportin e Brukselit u anuluan 55 për qind e fluturimeve, ndërkohë që rreth 200 fluturime nuk u realizuan për shkak të grevës.

Ndërsa në aeroportin Charleroi fluturimet u anuluan plotësisht, ku dhe si pasojë e mungesës së fluturimeve u mbyll për një ditë hyrja në ndërtesën e terminalit.

Po ashtu grevës iu bashkuan edhe shumë punonjës të policisë, mësues dhe të spitaleve në vend. Puna u ngadalësua në rreth dy të tretat spitaleve private në rajonin e kryeqytetit Bruksel dhe në rajonin Valon. Në këto spitale u mbajtën të hapura vetëm shërbimet e urgjencës dhe klinikat ku kryhen trajtimet për të sëmurët rëndë.

Në grevë kanë hyrë edhe punonjës të disa supermarketeve zinxhir në Belgjikë. Si pasojë u mbyllën shumë dyqane të merketeve zinxhir si Delhaize, Lidl dhe Carrefour. Për shkak të grevës nuk i hapën dyert edhe disa qendra tregtare në qytetet si Liege, Mons dhe Charleroi.

Ndër të tjera nuk janë mbledhur mbeturinat nga koshat në disa bashki të vendit, si dhe nuk ka qenë mundur të ngarkohen edhe anijet nëpër porte.

– Sindikatat kërkojnë përmirësim të pagave

Sindikatat në Belgjikë kërkojnë çmim tavan për energjinë elektrike dhe gazin natyror me arsyen se punëtorët janë prekur shumë kryesisht nga rritjet në çmimet e energjisë.

Gjithashtu sindikatat kërkojnë përmirësimin e pagave si dhe që rritja e pagave të vazhdohet automatikisht me indeksimin e inflacionit.

Në mesin e kërkesave të sindikatave të punëtorëve, përfshihet edhe zgjerimi i praktikës për pagesën e tarifës sociale të faturave të energjisë elektrike dhe gazit natyror të siguruar për grupet me të ardhura të ulëta.

Kategoritë
BotaLajme