Institucione të shumta arsimore në të gjithë Serbinë kanë pezulluar mësimet sot si formë mbështetjeje dhe solidariteti me protestat e studentëve për të përmbushur kërkesat e tyre, si dhe të profesorëve
Mijëra profesorë, studentë, nxënës dhe qytetarë u mblodhën në ditën e parë të semestrit të dytë për një protestë në Beograd të quajtur “Mësuesit janë me studentët” dhe bënë thirrje për një grevë të përgjithshme në Serbi, raporton Anadolu.
Tubimi u organizua nga Sindikata e Pavarur e Arsimtarëve të Serbisë, ndërsa pas fjalimeve, vijoi aksioni “15 minuta heshtje”, në shenjë nderimi për viktimat e rrënimit të një pjese të kulmit të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.
Institucione të shumta arsimore në të gjithë Serbinë kanë pezulluar mësimet sot si formë mbështetjeje dhe solidariteti me protestat e studentëve për të përmbushur kërkesat e tyre, si dhe të profesorëve.
Dushan Kokot, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Arsimit të Serbisë, tha se mësimi sot nuk ka filluar në 50 për qind të shkollave. Ai shtoi se përqindja në qytetet më të mëdha është 80 për qind.
“Ne treguam guxim për t’u bërë ballë kërcënimeve”, tha Kokot.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se nga nesër inspektorët arsimorë do të shkojë në shkollat që, siç tha ai, në kundërshtim me ligjin e kanë ndërprerë mësimin.
Ai u bëri thirrje të gjithëve, para së gjithash, prindërve dhe nxënësve, që të mos lejojnë që shkollat të “helmohen nga politika”.
“Kemi parlament, kemi sheshe, kemi media, flitet për politikë”, tha Vuçeviq për agjencinë Tanjug dhe shtoi: “Politikanët nuk kanë vend mes fëmijëve”.
Pas vdekjes së 15 personave nga rënia e një pjese të kulmit të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor, në Serbi nisën protestat e studentëve, duke kërkuar që autoritetet të mbajnë përgjegjësi.
Protestave iu bashkuan profesorë dhe mësues nga universitetet dhe shkollat e Beogradit.
Protestuesit kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, heqjen e akuzave ndaj studentëve, aktivistëve dhe qytetarëve të arrestuar dhe ndaluar në protestat e mëparshme, si dhe ngritjen e kallëzimeve penale kundër sulmuesve të demonstruesve.