Beograd, Vuçiq takon delegacionin e Qeverisë së Italisë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me nënkryetarin e Këshillit të Ministrave dhe ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, si dhe me ministrin italian të Mbrojtjes, Gvido Crozeto.

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar zëvendëskryetarin e Këshillit të Ministrave dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, Antonio Tajani dhe ministrin italian të Mbrojtjes, Guido Crozeto, me të cilët ka biseduar mbi situatën gjeopolitike dhe marrëdhëniet rajonale, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe integrimin evropian të Serbisë.

Siç njoftoi kabineti i presidentit serb pas takimit, Vuçiq shprehu besimin se Serbia do të vazhdojë traditën e marrëdhënieve të mira dhe miqësore me qeverinë e re italiane, pasi “Italia sot është një nga partnerët më të rëndësishëm politik dhe ekonomik të Serbisë, por edhe një faktor me ndikim në skenën politike ndërkombëtare, e cila me qëndrimet dhe aktivitetet e saj mund të kontribuojë në mënyrë shtesë në zhvillimin e një mjedisi paqësor dhe stabil në Ballkanin Perëndimor”.

“Kjo është një vizitë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne, sepse Serbia dëshiron të shohë një rol edhe më të madh të Italisë në rajon”, tha Vuçiq dhe, siç thuhet në njoftim, shtoi se Serbia është veçanërisht mirënjohëse jo vetëm për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për rrugën evropiane, por edhe për kontributin e saj që ofron siguri dhe stabilitet në Kosovë përmes angazhimit të ushtrisë së saj si pjesë e KFOR-it, e veçanërisht mbrojtjen që i ofron manastirit të Deçanit.

Vuçiq i njoftoi bashkëbiseduesit për zhvillimin e fundit të situatës në Kosovë, siç thuhet, “të shkaktuar nga provokimet e vazhdueshme të njëanshme të autoriteteve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë”, dhe theksoi se përkundër sjelljes së tillë të papërgjegjshme, Beogradi mbetet plotësisht i përkushtuar për dialogun, siç dëshmohet nga vullneti i treguar për të vazhduar dialogun e nivelit të lartë, i cili u mbajt më 21 nëntor në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së”.

“Italia është këtu, Italia dëshiron të jetë këtu, sepse jemi shumë të interesuar për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Tajani dhe, siç thuhet në njoftim, shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Shefi i diplomacisë italiane theksoi gjithashtu rëndësinë e zgjidhjes paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve dhe çështjeve dhe tha se Serbia do të ketë mbështetjen e fuqishme të Italisë në këto përpjekje.

“Kjo vizitë e dy ministrave është një sinjal politik dhe tregon se sa rëndësi i kushton Italia Serbisë”, tha ministri Crozeto dhe, sipas njoftimit, tha se për vendin e tij është me rëndësi të madhe që “të ketë paqe në Kosovë dhe se komuniteti serb duhet të respektohet dhe të jetë i sigurt”.

Palët ishin të pajtimit se marrëdhëniet e zhvilluara ekonomike dypalëshe paraqesin forcë shtytëse për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit gjithëpërfshirës mes dy vendeve, thuhet në deklaratën e kabinetit të Vuçiqit, dhe se ato duhet të intensifikohen edhe më tej në nivelin më të lartë. Më tej shprehën shpresat se së shpejti do të mbahet seanca e katërt e përbashkët e dy qeverive, si dhe forumi i biznesit.

Kategoritë
BotaLajme