Beqiroviq porosit Dodikun: Mos luaj me zjarr

Anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, porositi sot presidentin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik, të mos luajë me zjarrin dhe se lëvizjet e tij separatiste mund të rrezikojnë procesin e paqes.

Anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Denis Beqiroviq, porositi sot presidentin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik, të mos luajë me zjarrin dhe se lëvizjet e tij separatiste mund të rrezikojnë procesin e paqes, raporton Anadolu.

Pas takimit të Milorad Dodikut me përfaqësuesit e partive parlamentare nga entiteti i Republikës Sërpska në Banja Llukë u tha se çështja e pronës shtetërore tashmë është zgjidhur dhe se prona që është në territorin e entitetit është e tyre.

Dodik tha se nuk i pranon vendimet e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së dhe se në fund të javës së ardhshme do të caktojë një seancë të Kuvendit të entitetit dhe do të marrë vendim për tërheqjen e gjyqtarëve të atij subjekti nga Gjykata Kushtetuese e BeH-së. Një pjesë e opozitës, përfshirë edhe PDP-në, nuk morën pjesë në mbledhje.

“Kur bëhet fjalë për lëvizjet e fundit të papërgjegjshme të Milorad Dodikut, unë i them publikisht të mos luajë me zjarrin. Lëvizjet e tij separatiste mund të rrezikojnë procesin e paqes. Për një kohë të gjatë ai është bërë mbi të gjitha një problem sigurie, jo politik. Dhe njerëzit në Perëndim duhet ta kuptojnë këtë”, tha Beqiroviq.

Ai tha gjithashtu se “Milorad Dodik nuk ka as 10 për qind të resurseve që kishin kriminelët e luftës Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq”.

“Por, edhe ata u mundën dhe Bosnjë e Hercegovina mbijetoi. Bosnjë e Hercegovina do të mbijetojë, shumica e njerëzve janë të gatshëm ta mbrojnë këtë vend. Ne kemi shumë miq të tjerë jashtë shtetit të Bosnjë e Hercegovinës. Edhe një herë, unë i them atij të mos luaj me shtetin e Bosnjë e Hercegovinës. Shteti i Bosnjë e Hercegovinës është më i fortë se çdo keqbërës”, tha Beqiroviq.

Anëtar i Presidencës së BeH-së i tha Dodikut që “t’i përmbahet Marrëveshjes së Dejtonit”.

“Në Marrëveshjen e Dejtonit thuhet se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës do të gjykojë dhe vendosë për çështjet kushtetuese të kontestuara dhe do të marrë vendime përfundimtare dhe detyruese. Kjo është shkruar në Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit dhe në Kushtetutën e BeH-së. Dhe jo që Milorad Dodik të jetë mbi Gjykatën Kushtetuese dhe mbi Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit dhe Kushtetutën e këtij vendi. Ai duhet ta dijë se mjaft ishte dhuna e tij ligjore dhe se ajo duhet të ndalet”, shtoi Beqiroviq.

Kategoritë
LajmeRajoni