Beqiroviq: Sulmi ndaj Gjykatës Kushtetuese të BeH, sulm ndaj themeleve të Marrëveshjes së Dejtonit

Deputetët e Asamblesë së Republikës Sërpska u bënë thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së të kombësisë serbe të japin dorëheqje derisa ky institucion të marrë vendim tjetër.

Konkluzioni i miratuar i Asamblesë Kombëtare të entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Sërpska (RS), në të cilin gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të BeH nga radhët e kombësisë serbe u thirren të japin dorëheqje si gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së, paraqet një përpjekje jashtëzakonisht të rrezikshme të kopjimit të metodave antikushtetuese që ishin përdorur në vitin 1992 nga i dënuari për krime lufte Radovan Karaxhiç, tha anëtari i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq, raporton Anadolu.

Deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska (RS) të mërkurën u bënë thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së të kombësisë serbe të japin dorëheqje derisa ky institucion të marrë vendim tjetër. Aktualisht, në Gjykatën Kushtetuese të BeH-së është një gjyqtar me kombësi serbe.

Beqiroviq përkujtoi se përbërja e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së është rregulluar sipas nenit VI/1 të Kushtetutës së BeH-së.

“Në fund të fundit, gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të BeH-së vepron në cilësinë personale dhe jo në cilësinë e përfaqësuesit të një subjekti apo të ndonjë subjekti tjetër. Para marrjes së detyrës të gjithë gjyqtarët e zgjedhur kanë nënshkruar deklaratën solemne me të cilën janë zotuar se gjatë kryerjes së detyrave të tyre do t’i përmbahen Kushtetutës dhe ligjit të BeH-së dhe se do të kryejnë deturat e tyre në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të paanshme. Duke pasur parasysh të gjitha që u thanë, është detyrë e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së të qëndrojnë konsekuent me bindjet e tyre dhe të mbrojnë me nder profesionin që i takojnë”, tha anëtari i Presidnecës së BeH-së.

Ai tha se “si një nga dy entitetet e BeH-së, RS nuk ka autorizim të rregullojë në mënyrë të njëanshme sferat që janë nën juridiksionin e shtetit të BeH-së”.

“Në këtë aspekt, çdo standardizim i punës së Gjykatës Kushtetuese të BeH-së, në kundërshtim me dispozitat kushtetuese të vlefshme, paraqet formë serioze të veprimit antikushtetues. Statusi, përbërja dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së janë të rregulluara me Kushtetutën e BeH-së dhe jo me aktet e entiteteve. Dispozitat kushtetuese parashikojnë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të BeH-së janë përfundimtare dhe të detyrueshme. Çështja e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese të BeH-së nuk mund të rregullohet në nivel entiteti”, tha Beqiroviq.

Ai theksoi se sipas nenit 239 të Kodit Penal të BeH-së: “Një zyrtar në institucionet e BeH-së, institucionet e entiteteve ose institucionet e qarkut Bërçko të BeH-së, i cili refuzon të zbatojë vendimin përfundimtar dhe të detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së, Gjykatës së BeH-së, Shtëpisë për të Drejtat e Njeriut ose Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ose e pengon ekzekutimin e një vendimi të tillë, ose e pengon ndryshe ekzekutimin e tij, dënohet me dënim me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet”.

Siç theksoi ai, Gjykata Kushtetuese e BeH-së është themeluar sipas nenit VI të Kushtetutës së BeH-së si gardian i pavarur i Kushtetutës dhe si garant institucional për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të përcaktuara me Kushtetutën e BeH-së dhe instrumentet e Aneksit I të Kushtetutës së BeH-së.

“Gjykata Kushtetuese e BeH-së nuk është pjesë as legjislative dhe as ekzekutive, por është e pozicionuar nga Kushtetuta e BeH-së si një autoritet i veçantë i pavarur. Duke marrë parasysh pozitën dhe rolin e veçantë që ka Gjykata Kushtetuese e BeH-së në Kushtetutën e BeH-së, e cila vendos detyrimin për të siguruar pavarësinë e saj, përfshirë pavarësinë dhe autonominë e plotë financiare dhe administrative, është e papranueshme që asnjë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të BeH-së t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve jokompetente të entiteteve”, shtoi Beqiroviq.

Kategoritë
LajmeRajoni