Zëvëndëskryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, ka thënë se procesi i regjistrimit të popullsisë nuk ka filluar ende por që kanë kohë edhe 44 ditë tjera për ta përfunduar këtë proces.
Sipas tij, kërkesa e tyre për shtyrje të regjistrimit të popullsisë nuk është aprovuar nga kryeministri Albin Kurti, ndonëse nuk i posedojnë ende tabletat.
“Pritet brenda ditëve të vijnë tabletat dhe brenda ditëve të realizohet rekrutimi i 4 mijë e 500 regjistruesve e mbikëqyrësve dhe të bëhen trajnimet. Kërkesën tonë për shtyrje të regjistrimit të popullsisë nuk e ka pranuar kryeministri Albin Kurti dhe afati për regjistrim fillon që nga sot (1 nëntor) deri më 15 dhjetor dhe kryeministri Kurti na ka thënë se e keni afatin prej 45 ditësh dhe ky proces duhet të përfundojë”, ka thënë Berisha në një përgjigje për EO.
Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.
Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë.