Bërnabiq në Kosovë: Dërgoj mesazh paqeje dhe tolerance, por kërkojmë bashkësinë e komunave serbe

“Sot dua të dërgoj mesazh të qartë nga këtu, një mesazh paqeje, stabiliteti dhe tolerance. Po ashtu po përcjell mesazhin e presidentit Aleksandar Vuçiq se Serbia do të jetë gjithmonë me ju”, tha Bërnabiq

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq gjatë vizitës në Mitrovicën e Veriut ka dërguar mesazh paqeje dhe tolerance, por theksoi se Serbia për çdo ditë dhe kudo kërkon formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë, Bërnabiq fillimisht vizitoi qendrën e parë multimediale në pjesën veriore të Kosovës, e ndërtuar me mjete të Serbisë. Një numër i madh i qytetarëve e kanë pritur me flamuj dhe pankarta serbe ku shkruhej “Mirë se erdhe kryeministre”, “Serbët e Kosovës gjithmonë me shtetin e Serbisë”, e të tjera.

“Sot dua të dërgoj mesazh të qartë nga këtu, një mesazh paqeje, stabiliteti dhe tolerance. Po ashtu po përcjell mesazhin e presidentit Aleksandar Vuçiq se Serbia do të jetë gjithmonë me ju”, tha Bërnabiq.

Ajo tha se vizita e saj vjen në një kohë komplekse dhe se është e kënaqur që marrëveshja për dokumentet personale ka ruajtur paqen dhe stabilitetin. Ajo ka theksuar se çështja tjetër e madhe për të cilën do të insistojë Serbia është formimi i bashkësisë së komunave serbe.

Kryeministrja serbe porositi se Beogradi insiston në formimin e bashkësisë së komunave serbe, që është shtyllë e marrëveshjes së parë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, dhe se nuk mund të ketë marrëveshje tjetër për normalizim derisa të përmbushet e para.

Ajo theksoi se Serbia në vitet e fundit ka investuar shumë në mjediset serbe në Kosovë, siç është qendra multimediale e pajisur me teknologji moderne.

“Ne sigurojmë që fëmijët tanë të qëndrojnë, të shohin se ka të ardhme”, tha Bërnabiq.

Ajo më tej ka theksuar se nuk mund të thuhet se Kosova është demokratike, duke pasur parasysh se serbëve iu ndalua të votojnë në referendumin e organizuar nga shteti i Serbisë.

“Jam krenare që jam pjesë e ekipit të presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili është mjaft i guximshëm dhe i përgjegjshëm dhe që përpiqet të gjejë kompromise për sigurinë e popullit tonë. Gjithmonë jemi të gatshëm për dialog në Bruksel dhe shpresoj që institucionet në Prishtinë të jenë të përkushtuara për atë dialog. Kjo nuk është vetëm për shkak të integrimit evropian, kjo është e nevojshme për vetë neve”, tha ajo.

Ajo më tej theksoi se Vuçiq ka arritur marrëveshje për kartat e identitetit për të mirën e serbëve në Kosovë dhe se shpreson se do të arrihet edhe një marrëveshje për targat. Ajo po ashtu tha se vija e kuqe në dialog është siguria e serbëve të Kosovës, sepse nuk do të lejohet një “Olluja” dhe një pogrom tjetër i serbëve.

E pyetur nga gazetarët se si është ndier kur kaloi vendkalimin kufitar, ajo tha se ndihet si në vend të vet, gjë që mori duartrokitje të madhe nga të pranishmit.

Nga Mitrovica e Veriut ajo shkoi në manastirin Banjska, në Komunën e Zveçanit, ku e priti eposi Rashko i Prizrenit, peshkopi Teodosije. Ai ka falënderuar kryeministren për ndihmën që shteti i Serbisë i jep Kishës Ortodokse Serbe dhe popullit serb në Kosovë.

Nga manastiri, Bërnabiq u bëri thirrje serbëve për unitet, pasi siç theksoi ajo, vetëm uniteti mund t’i ndihmojë serbët në Kosovë.

Kryeministrja e Serbisë pasdite do të vizitojë edhe Komunën e Leposaviçit, ku do të vizitojë një familje në nevojë sociale dhe një fermë bujqësore.

Kategoritë
LajmeVendi