Bërnabiq sërish “sulmon” ambasadorin gjerman

Ana Bërnabiq ka vazhduar të merret me ambasadën gjermane në Kosovë duke i reaguar një shkrimi të faqes zyrtare të këtij misioni diplomatik në Twitter.

Edhe pse në atë shkrim kërkohej të zbatohej Asociacioni i komunave serbe dhe aneksi i Ohrit, kjo nuk e ka ndaluar serben që të reagoj duke përmendur një marrëveshje tjetër të nënshkruar para 10 vjetëve. Zyrtarët serbë kohët e fundit duket se janë të obsesionuar me postimet e ambasadës gjermane në Kosovë, duke komentuar në çdo shkrim.

“Ky tweet nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë është një provë se BE-ja nuk kishte ndërmend të zbatonte kurrë Marrëveshjen e Brukselit, të cilën ata e ndërmjetësuan dhe e nënshkruan si garantues të saj. Tani, 10 vjet më vonë, edhe pse Prishtina nuk e zbatoi asnjë fjalë të saj, ata u shpërblyen bujarisht. Askush nuk mund t’i sajonte këto gjëra…”, shkruan ajo.

Në shkrimin e tij, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë se pas liberalizimit të vizave ky akt i Komitetit të Ministrave e ofron Kosovën edhe më afër familjes evropiane. Por deri te anëtarësimi i plotë ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit duke përfshirë edhe implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

”Urimet e mia për të gjithë kosovarët! Vazhdimi i zbatimit të Ohrit duke përfshirë Asociacionin  është vendimtar për të ecur përpara”.

”Pas vendimit të javës së kaluar për vizat, votimi i sotëm i #CoE për ta përcjellë aplikacionin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare e sjell vendin sërish më pranë familjes europiane. Gjermania dha mbështetje të plotë në këtë hap”, ka shkruar ai në Twitter.

Kategoritë
LajmeRajoni