Betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut përcillet me reagime nga serbët lokalë

Kryetari i ri Erden Atiq bëri betimin në gjuhën shqipe dhe serbe në seancën e mbajtur në ndërtesën e Komunës së Kosovës në Mitrovicën e Veriut

Me seancë ceremoniale në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, ka dhënë betimin kryetari i ri i kësaj komune, Erden Atiq nga partia Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka marrë më së shumti vota në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill, raporton Anadolu.

Atiq bëri betimin në gjuhën shqipe dhe serbe në seancën e mbajtur në ndërtesën e Komunës së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.

“Unë, Erden Atiq, betohem se do t’i ushtroj kompetencat e mia me nder, besnikëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë”, tha ai në deklaratën e betimit.

Atiq pas betimit në një deklaratë për media tha se do të punojë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës së Veriut pa dallim dhe pa diskriminim. “Angazhimi ynë më i madh do të jetë normalizimi i komunës dhe ftoj të gjithë qytetarët që të vijnë të na vizitojnë dhe të bashkëpunojmë sa më shumë në të mirë të qytetarëve”, tha ai.

Atiq në këtë seancë e ka emëruar edhe nënkryetaren e komunës, që është Katarina Axhançiq nga radhët e komunitetit serb.

Axhançiq deklaroi se është koha për të përcaktuar se cilat janë prioritetet e banorëve të komunës së Mitrovicës së Veriut, sepse “janë grumbulluar shumë probleme”. “Ju vetë i dini të gjitha ngjarjet që kanë pasuar këtë dimër dhe pranverë, ndaj jemi të vendosur që të kemi një ekip të mirë, bashkëpunim të mirë me qytetarët”, tha ajo.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi i cili mori pjesë në seancën solemne, uroi kryetarin e ri të komunës dhe tha se ai do ta ketë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës.

“Çdo veprim dhe vendim i kryetarit do të ketë mbështetjen e nivelit qendror. Si Qeveri dhe si Ministri i mbështesim të gjithë kryetarët e komunave”, tha ministri Krasniqi dhe shtoi se në ditët në vijim do të organizohet edhe betimi i kryetarëve të komunave tjera nga veriu i Kosovës.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit u zgjodhën kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut si dhe këshilltarët e Kuvendit Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Për shkak të bojkotit të Listës Serbe, pjesëmarrja në votime ishte e ulët dhe arriti në 3.47 për qind.

Pas betimit të kryetarit të ri Erden Atiq, partia Lista Serbe ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Veriut, ku nënkryetari i partisë Igor Simiq tha se qytetarët serbë janë të përkushtuar për paqe, por se më 1 qershor do të pasojë një përgjigje vendimtare nga populli serb, nëse nuk ndalet mohimi i të drejtave elementare të tyre.

“Në fillim duam të theksojmë se me përpjekjet e Serbisë dhe të gjithë popullit arritëm të ruanim paqen dhe ta pengojmë popullin të reagojë ndaj ‘regjimit’ të Albin Kurtit dhe me këtë ngjarje zyrtarisht filloi ‘pushtimi’ i veriut të Kosovës. Por, ka një fillim dhe një fund. Do të përfundojë kur ta zgjidhin serbët. Theksoj se jemi të përkushtuar ndaj paqes”, theksoi Simiq.

Së fundmi edhe shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar), kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës për shkak se sipas tyre marrë parasysh bojkotin e zgjedhjeve nga Lista Serbe “ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjate për komunat e përfshira”.

Përmes një deklarate të përbashkët për media, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes të gjitha palëve të interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”.

Zgjedhjet në katër komunat veriore me shumicë serbe u mbajtën pasi që kryetarët paraprakë që vinin nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për legalizimin e veturave me targa të lëshuara nga Serbia.

Kategoritë
LajmeVendi