Betimi në Mitrovicën e Veriut që u sigurua me telefonata nga Uashingtoni

Në rrethana normale do të ishte një ngjarje për të cilën ndoshta nuk do të raportohej as në lajme. Por, rasti i betimit të Kryetarit të Mitrovicës së Veriut nga radhët e Vetëvendosjes ishte përjashtim. Për ta siguruar ceremoninë e betimit në objektin e Komunës së Veriut u angazhuan zyrtarë të superfuqisë botërore. Njëri me telefonata nga Uashingtoni, ndërsa ambasadori i SHBA’së Jeff Hovenier, i cili caktoi disa kushte. Kosova s’duhet t’i hapë me forcë dyert e objekteve të komunave, kryetarët e rinj duhet të jenë teknikë. Erden Atiq sot mori detyrën, ndërsa s’dihet se kur dhe ku do të betohen kryetarët tjerë.

Mes paralajmërimeve për mospërdorim të dhunës dhe shqetësimeve për ndonjë tension, sot në një atmosferë paqësore u betua si kryetar i ri Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili doli fitues nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, por me pak votues.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore në mënyrë të qetë që nxorën fitues katër kryetarë nga partitë shqiptare meqë Lista Srpska, partia kryesore e serbëve në Kosovë, refuzoi pjesëmarrjen në zgjedhje, shqetësimi u zhvendos te ndonjë tension i mundshëm kur këta kryetarë të betohen dhe të hyjnë në objektet e komunave. Sidoqoftë, Erden Atiq sot u betua si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut  pa ndonjë incident të shënuar.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, disa ditë para se të bëhej betimi i Atiq, mbajti një takim me kryeministrin Albin Kurti për t’i thënë se vendi i tij është i mendimit se nuk duhet të ketë përdorim të forcës për hapjen e komunave.

“Unë i kam bërë disa komente. Ne folëm për të njëjtën gjë. SHBA-ja mendon që kjo gjë duhet të përfundojë, duhet të shmangen konfliktet dhe veprimet që çojnë në rritjen e tensioneve në veri. Ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë që qasshme”, kishte thënë Hovenier pas takimit me Kurtin.

Por, kjo s’ishte porosia e vetme amerikane.

Një ditë para se Senati amerikan të mbajë një seancë për Ballkanin Perëndimor, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet telefonoi dy udhëheqësit, atë Kosovës dhe Serbisë. Përveç temave tjera, Chollet me Kurtin foli edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur.

Për këtë çështje, SHBA pati edhe mesazhe të tjera bashkë me shtetet tjera të QUINT-it, Francën, Italinë, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar,

Në këtë deklaratë të QUINT-it, përveç thirrjes që të mos ketë veprime të përdorimit të forcës që do të rrisnin tensionet në Veri, gjithashtu u tha se nuk është e domosdoshme që kryetarët të betohen në hapësirat komunale.

“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin kompetencave që janë më shumë se administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, u tha në këtë komunikatë të QUINT.

Sot nuk e pa ndonjë tension, por paralajmërimi për të erdhi menjëherë pas betimit të Atiqit nga Lista Srpska, e cila mbajti një konferencë të jashtëzakonshme.

“Nëse këto dhe veprime të ngjashme vazhdojnë, më 1 qershor do të vijë një përgjigje vendimtare nga populli serb. Ne do ta mbrojmë të drejtën e serbëve për të qëndruar dhe mbijetuar në vatrat e tyre me të gjitha mjetet”, tha Lista Srpska.

Përveç që përçuan këtë mesazh përmes kësaj partie që e kontrollon, Beogradi zyrtar reagoi edhe përmes drejtorit të Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ai e ka quajtur “pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut Erden Atiq, duke thënë se me veprimet e tyre “Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan të dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.

“Simboli i atij pushtimi dhe ajo leckë [flamuri i Kosovës] që e kanë ekspozuar në ndërtesën komunale të Mitrovicës…nuk do të jetë kurrë flamur për ne. Do të qëndrojë atje për aq kohë sa vetë pushtimi dhe kjo do të thotë jo për shumë kohë”, tha Petkoviq në një konferencë për media pas betimit të Atiq si kryetar i komunës.

Megjithatë, Atiq, përveç betimit, dha edhe një zotim se do të punojë pa dallim dhe pa diskriminim me të gjithë qytetarët.

Madje, këta të fundit i ftoi edhe për takim.

“Jam i kënaqur. Sapo e përfunduam seancën solemne të betimit. Me gjithë ekipin shprehi se do të punojmë për të gjithë qytetarët e komunës veriore të Mitrovicës, pa dallim. Angazhimin më të madh do ta bëjmë për ta normalizuar këtë pjesë të komunës. I bëj ftesë gjithë qytetarëve që të vijnë dhe të na takojnë dhe të bashkëpunojmë sa më mirë për të mirën e qytetarëve”, tha Atiq para mediave pas ceremonisë së betimit.

Në këtë ceremoni, Atiq detyrën e parë si kryetar komune ishte emërimi i nënkryetares. Katarina Axhançiq, nga radhët e komunitetit serb, u zgjodh nënkryetare e Mitrovicës së Veriut.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill, Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Pas betimit të Atiqit në Mitrovicën së Veriut, mbeten të bëjnë betimin edhe ata të komunave Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Arsyeja e moskryerjes së kësaj procedure në këto komuna është asambleja komunale e paformuar. Nga të tri këto komuna, vetëm Zubin Potoku ka asamble funksionale. Sipas ligjit, deri më 28 maj kryetarët e zgjedhur duhet të marrin detyrën ose humbasin mandatin. Megjithatë, sipas ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në ato komuna ku kuvendi komunal nuk është konstituar ende, ekzistojnë edhe disa afate ligjore dhe procedura deri të nisë rrjedhja e afatit ligjor prej 30 ditësh për kryetarin.

Kategoritë
LajmeVendi