Biden dhe presidenti kinez takohen për herë të parë ballë për ballë në Indonezi

Takimi mbahet në një periudhë ku tensionet dhe konkurrenca e fuqisë globale mes SHBA-së dhe Kinës është rritur.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping po zhvillojnë një takim ballë për ballë në ishullin Bali të Indonezisë ku ato ndodhen për të marrë pjesë në Samitin e G20.

Takimi mbahet në një periudhë ku tensionet dhe konkurrenca e fuqisë globale mes SHBA-së dhe Kinës është rritur. Ky është takimi i parë ballë për ballë që dy liderët zhvillojnë që nga ardhja e Bidenit në detyrë në janar 2021.

Në takim pritet që dy liderët të diskutojnë çështje të tilla si Tajvanin, të drejtat e njeriut, konkurrenca ekonomike, lufta në Ukrainë, qëndrimi kundër Rusisë dhe çështja e Koresë së Veriut. Gjithashtu pritet që dy liderët të paraqesin “vijat e kuqe” në mosmarrëveshjet që janë burim i tensioneve.

Liderët më parë kanë zhvilluar takime ballë për ballë si homologë në periudhat kur të dy ishin zv.presidentë. Por, palët nuk janë takuar asnjëherë që nga fillimi i detyrës së Bidenit ndërkohë që ata kanë biseduar dy herë përmes internetit dhe një herë përmes telefonit.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping pas fillimit të pandemisë së COVID-19 ndërpreu vizitat e tij jashtë vendit si dhe u distancua nga diplomacia ballë për ballë për rreth 2.5 vite.

Xi Jinping për herë të parë priti në Pekin presidentin e Indonezisë, Joko Widodo ndërsa vizitën e parë të tij jashtë vendit e zhvilloi në Kazakistan në muajin shtator dhe më pas në Uzbekistan mori pjesë në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.

Kategoritë
BotaLajme