Biden: Do të sigurojmë rreth 3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

“Ukrainës do t’i jepen 2.98 miliardë dollarë armë dhe municione. Me këtë ndihmë, Ukraina do të jetë në gjendje të ketë sisteme të mbrojtjes ajrore, sisteme raketore, arsenale, radare dhe UAV”, tha Biden

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka njoftuar se do t’i sigurojnë Ukrainës armë dhe ndihmë mbrojtëse në vlerë prej 2.98 miliardë dollarësh me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një mesazh që publikoi me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Biden uroi popullin ukrainas, duke theksuar se, “Në gjashtë muajt e fundit, ukrainasit kanë frymëzuar të gjithë botën me guximin dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm për liri. Ata qëndruan të vendosur kundër pushtimit të Rusisë”.

Ai po ashtu tha se pavarësia dhe sovraniteti i Ukrainës do të mbrohen gjithmonë dhe se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen për popullin ukrainas në luftën e tyre në këtë drejtim.

“Jam krenar të shpall paketën tonë më të madhe të ndihmës mbrojtëse për Ukrainën deri më sot. Ukrainës do t’i jepen 2.98 miliardë dollarë armë dhe municione. Me këtë ndihmë, Ukraina do të jetë në gjendje të ketë sisteme të mbrojtjes ajrore, sisteme raketore, arsenale, radare dhe UAV”, tha Biden.

Duke theksuar se mijëra njerëz u vranë ose u plagosën në luftën me Rusinë në gjashtë muajt e fundit dhe miliona njerëz morën statusin e refugjatit, Biden tha se në këtë proces edhe populli ukrainas e rriti përpjekjen për pavarësinë.

Administrata e presidentit Biden që kur mori detyrën në janar të vitit 2021 ka ofruar 10.6 miliardë dollarë ndihmë në mbrojtje për Ukrainën.

Kategoritë
BotaLajme