Biden garanton se sistemi bankar amerikan është i “sigurt” pas kolapsit të bankave

“Amerikanët mund të kenë besim se sistemi bankar është i sigurt. Depozitat e tuaja do të jenë aty kur t’ju nevojiten”, tha Biden në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i SHBA-së, Joe Bidem, ka garantuar amerikanët se sistemi bankar dhe depozituesit amerikanë janë “të sigurt” pas kolapsit të dy bankave të mëdha në më pak se një javë, transmeton Anadolu.

“Amerikanët mund të kenë besim se sistemi bankar është i sigurt. Depozitat e tuaja do të jenë aty kur t’ju nevojiten”, tha Biden në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë.

Komentet e tij vijnë disa ditë pas kolapsit të papritur të dy bankave në SHBA, Silicon Valley Bank dhe Signature Bank.

Biden tha se javën e kaluar ai udhëzoi ekipin e tij që të vepronte në mënyrë të shpejtë për të ruajtur interesat e bizneseve të vogla dhe të depozituesve.

Ai theksoi se Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave (FDIC) gjatë ditëve të fundit mori kontrollin e aseteve të Silicon Valley Bank dhe Signature Bank.

“Të gjithë klientët që kishin depozita në këto banka mund të jenë të sigurt se do të mbrohen dhe do të kenë qasje në paratë e tyre që nga sot. Kjo përfshin edhe bizneset e vogla. Nuk do të ketë humbje te taksapaguesit”, tha Biden.

Menaxhmenti i këtyre bankave, theksoi Biden, do të pushohet.

“Nëse banka merret nga FDIC, njerëzit që drejtojnë bankënnuk duhet të punojnë më atje. Investitorët dhe bankat nuk do të mbrohen. Ata me vetëdije morën një rrezik dhe kur rreziku nuk shpagohet, investitorët humbasin paratë e tyre. Kështu funksionon kapitalizmi”, tha presidenti amerikan.

Kategoritë
BotaLajme