Biden ‘i shqetësuar’ pasi Kina kryen stërvitje ushtarake rreth Tajvanit

Ushtria e Kinës njoftoi se do të ketë stërvitje të reja ushtarake në dete dhe hapësirën ajrore rreth Tajvanit të hënën.

Ky paralajmërim vjen një ditë pas përfundimit të planifikuar të stërvitjeve më të mëdha të Kinës ndonjëherë, si shenjë proteste kjo kundër vizitës gjatë javës së kaluar në ishull nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi.

Autoritetet kineze kanë bërë të ditur se do të kryejnë stërvitje të përbashkëta duke u fokusuar në operacionet kundër nëndetëseve dhe sulmeve detare – kështu duke konfirmuar frikën e disa analistëve të sigurisë dhe diplomatëve se Pekini do të vazhdojë të bëjë presion mbi mbrojtjen e Tajvanit, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova.

Ministria e Jashtme e Tajvanit i ka dënuar këto aktivitete ushtarake duke thënë se Kina, e cila pretendon se ishulli i vetëqeverisur është i saj, po krijon qëllimisht kriza.

“Përballë frikësimit ushtarak të krijuar nga Kina, Tajvani nuk do të frikësohet dhe nuk do të tërhiqet dhe do të mbrojë më fort sovranitetin e tij, sigurinë kombëtare dhe mënyrën e lirë dhe demokratike të jetesës”, tha ministria në një deklaratë.

Presidenti i SHBA Joe Biden, në komentet e tij të para publike në lidhje me Tajvanin që nga vizita e Pelosit, tha se ai nuk ishte i shqetësuar për Tajvanin, por ishte i shqetësuar për veprimet e Kinës në rajon.

“Jam i shqetësuar rreth asaj që ata po bëjnë tani,” u tha Biden gazetarëve në Delaware. “Por unë nuk mendoj se ata do të bëjnë asgjë më shumë sesa kjo.”

Kategoritë
BotaLajme