Biden në AP-OKB: Putin “ka shkelur paturpësisht parimet thelbësore të Kartës së Kombeve të Bashkuara”

“Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke pushtuar fqinjin e saj, deshi të fshinte nga harta një shtet sovran”, tha presidenti amerikan

Presidenti i SHBA-së Joe Biden doli në skenën botërore sot për të veçuar presidentin rus Vladimir Putin për “veprimet e paturpshme” që ai tha se janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet themelore të OKB-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti i SHBA-së tha se Putin ka “shkelur paturpësisht parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara” pasi autorizoi forcat ruse të pushtojnë Ukrainën në shkurt – një vendim që është shkelje e “ndalimit të qartë kundër marrjes me forcë të territorit të vendeve fqinje”.

“Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke pushtuar fqinjin e saj, deshi të fshinte nga harta një shtet sovran”, tha Biden.

“Vetëm sot, presidenti Putin bëri kërcënime të hapura bërthamore kundër Evropës në një shpërfillje të pamatur ndaj përgjegjësive të regjimit të mospërhapjes (së armëve bërthamore)”, tha ai në takimin e liderëve botërorë në New York.

“Tani, Rusia po thërret më shumë ushtarë për t’u bashkuar në luftë. Kremlini po organizon referendume të rreme, duke u përpjekur të aneksojë pjesë të Ukrainës, që është shkelje jashtëzakonisht serioze e Kartës së OKB-së”, shtoi presidenti amerikan.

Më herët, presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi një mobilizim masiv prej 300 mijë rezervistësh për të mbështetur përpjekjet e tij të luftës në Ukrainë, duke lëshuar një paralajmërim të tmerrshëm përpara referendumeve të planifikuara në pjesë të Ukrainës të denoncuara nga Perëndimi si “përpjekje e rremë” për të aneksuar territore të tjera ukrainase.

“Kur integriteti territorial i vendit tonë kërcënohet, ne sigurisht do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë. Ky nuk është bllof”, deklaroi Putin.

Lëvizja vjen një ditë pas shpalljes së referendumeve në rajonet ukrainase, respektivisht në rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia. Putin dhe përfaqësuesit e tij rajonalë po synojnë të përdorin zgjedhjet për të deklaruar territoret si pjesë të Rusisë.

Kategoritë
BotaLajme