Biden: Tërmetet në Turqi, ndër tërmetet më të rënda në rajon në 100 vite

Presidenti i SHBA-së, Biden tha se Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe ushtria amerikane në Evropë është e gatshme për ndihmë në rajonin e tërmetit në Türkiye

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden lidhur me fuqinë e tërmeteve me qendër në Kahramanmaraş që ka prekur Türkiye-n dhe Sirinë tha se “Ky është një prej tërmeteve më të rënda që është përjetuar në rajon në 100 vite”, transmeton Anadolu.

Biden foli nga Wisconsin të cilin ai e vizitoi për të shpjeguar planet e ekonomisë.

Fjalën e tij Biden e filloi duke thënë se lutjet dhe mendimet e popullit amerikan janë bashkë me të prekurit nga tërmeti në Türkiye dhe Siri. “Ky është një prej tërmeteve më të rënda që është përjetuar në rajon në 100 vite”, tha Biden.

Duke vënë në dukje se mbajnë zi për jetët e humbura, Biden tha se është e pabesueshme të shikosh nxjerrjen e trupave të personave të prekur nga tërmeti nga grumbujt e rrënojave. “Tërmeti ishte jashtëzakonisht i fuqishëm, pasgoditjet po ashtu dhe më tej u përjetua tërmeti i dytë”, theksoi Biden i cili shtoi se mendimet e tij janë me personat e prekur nga kjo tragjedi.

Ai tha se menjëherë pas tërmetit ka telefonuar presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe i përcjellë se SHBA-ja ofron mbështetje të plotë, përfshirë edhe ekipet e kërkim-shpëtimit për aleatin e NATO-s, Türkiye-n. Biden tha se Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe ushtria amerikane në Evropë është e gatshme për ndihmë në rajonin e tërmetit në Türkiye.

“SHBA-ja ka ndihmuar edhe të prekurit nga tërmeti në Siri përmes institucioneve të ndihmës humanitare”, tha Biden duke bërë të ditur se kanë ndërmarrë veprime të ndihmës që nga dita e parë. Biden tha se SHBA-ja është një nga donatorët kryesorë në shpëtimin e jetëve njerëzore “pavarësisht se kush e kontrollon zonën” në Siri.

“Ne jemi të vendosur në angazhimin tonë për të mbështetur popullin e Türkiye-s dhe Sirisë në moment nevoje”, deklaroi presidenti i SHBA-së, Biden.

Kategoritë
BotaLajme