Biden thirrje Kongresit për pezullim tremujor të taksave të benzinës

Në një deklaratë të bërë nga Shtëpia e Bardhë, njoftohet se çmimi i benzinës është rritur në të gjithë botën pasi Rusia sulmoi Ukrainën dhe se në Amerikë çmimi është rritur pothuajse 2 dollarë për gallon

Presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje Kongresit të pezullojë me një afat tremujor deri në shtator taksën federale për benzinën me qëllim për të luftuar rritjen e çmimeve të benzinës në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të bërë nga Shtëpia e Bardhë, njoftohet se çmimi i benzinës është rritur në të gjithë botën pasi Rusia sulmoi Ukrainën dhe se në Amerikë çmimi është rritur pothuajse 2 dollarë për gallon.

Pasi bëhet e ditur se Biden është i vetëdijshëm se çmimet e larta të benzinës përbëjnë një sfidë të rëndësishme për familjet që punojnë, në deklaratë thuhet se për këtë arsye kohët e fundit është kaluar në veprim për rritjen e furnizimit me karburant, duke përfshirë edhe futjen në përdorim të karburantit nga Rezerva Strategjike e Naftës.

Në deklaratë njoftohet se Biden i bëri thirrje Kongresit për të marrë masa legjislative shtesë me qëllimin për të siguruar ndihmë të drejtpërdrejtë për konsumatorët amerikanë të prekur nga rritja e çmimeve.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Biden i kërkoi Kongresit të pezullojë taksën federale të benzinës për tre muaj deri në shtator, pa përdorur asnjë fond nga Fondi i Mirëbesimit të Autostradave.

Më tej rikujtohet se qeveria federale merr një taksë prej 18 cent për gallon për benzinën dhe 24 cent për gallon për naftën dhe thuhet se këto taksa përmes Fondit të Mirëbesimit të Autostradave financojnë autostradat kritike dhe transportin publik.

Përveç përjashtimit nga taksat, Biden u bëri thirrje edhe qeverive të shteteve dhe atyre lokale që të sigurojnë ndihmë shtesë për konsumatorët.

Kategoritë
BotaLajme