Bie një tabu. Deputetet italiane mund të ushqejnë me gji fëmijët e tyre dhe gjatë punimeve të Parlamentit

Deri më sot neni i 64 i rregullores ndalonte çdo person, përfshirë foshnja e për çdo lloj motivi, të merrte pjesë në punimet e parlamentit. Tribunat e publikut janë rreptësisht të ndara e të distancuara nga vendndodhja e deputetëve e nënat me fëmijë në gji u duhej të zgjidhnin mes vendimeve e diskutimeve parlamentare e ushqimin e fëmijës.

Prej sot nënat deputete në Itali do të mund të ushqejnë me gji fëmijët e tyre deri në moshën një vjeç, gjatë seancave parlamentare.

Ky është vendimi i fundit i marrë nga Bordi i Rregulloreve në Parlamentin italian.

Nënat deputete mund të ushqejnë fëmijët e tyre në pozicione të rezervuara të identifikuara me vendim të Kolegjit të Kuestorëve.

Propozimi i parë për një ndryshim të tillë i përket vitit 2019, nga vetë kryeministra aktuale Giorgia Meloni, atëherë deputete. Më korrik të 2022 ishte deputetja e Lëvizjes 5Yje  Gilda Sportiello, e cila e prezantoi zyrtarisht si kërkesë e më pak orë më parë u arrit më në fund ky ndryshim.

“Një hap civilizimi” është komenti i bërë  nga gratë deputete duke kujtuar se një rregullore e tillë është aprovuar në Parlamentin Europian 12 vite më parë.

Vendimi është përshëndetur nga KM Giorgia Meloni e cila e konsideron “një sinjal mbi vëmendjen e duhur ndaj mëmësisë, fëmijërisë e familjes.

Kategoritë
BotaLajme