Bie numri i vrasjeve, rritet numri i rasteve të dhunës në familje

Gjatë nëntë muajve të këtij viti, përkatësisht në periudhën janar – shtator është shënuar rënie e numrit të vrasjeve në vend.

Të dhënat janë bërë publike sot, në raportin e Departamentit të Rendit Publik, ku bëhet e ditur se rënie kanë shënuar edhe aksidentet me lëndime trupore dhe ato me fatalitet.

Në Kosovë gjatë këtij viti është shënuar rënie e numrit të vrasjeve. Kështu thuhet në raportin analitik nëntëmujor të Departamentit të Rendit Publik.  Derisa vitin e kaluar, policia kishte regjistruar 25 vrasje, gjatë këtij nëntëmujori, në Kosovë kanë ndodhur 14 raste të tilla, transmeton RTK.
Ajo që bie në sy është numri në rritje i rasteve të dhunës në familje. Nga 1897  raste sa ishin vitin e kaluar, brenda nëntë muajve të këtij viti, numri është rritur në 1981 raste, apo 4 për qind më shumë.

Sipas raportit, ka një rënie të lehtë të veprave tjera, si të rasteve  të lëndimeve të rënda trupore, me -2,4 për qind dhe të lëndimeve të lehta trupore me -0,75 për qind.

Rënie kanë shënuar edhe vjedhjet në shkallën prej -9,9 për qind.

Në këtë kuadër më së shumti kanë rënë vjedhjet e rënda, për -23.5 %. Rënie për -12.3 për qind kanë shënuar edhe grabitjet, theksohet në raportin e publikuar sot nga Departamenti i Rendit Publik.

Raporti sjell edhe statistikat e aksidenteve në trafik, të cilat thuhet se në përgjithësi kanë shënuar rënie për -2.4%.

Kategoritë
LajmeVendi