Bien investimet e huaja, kërkohet që të zgjidhen sa më shpejt problemet me Serbinë

Tensionet në mes marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe situata e përgjithshme politike në vend po konsiderohen të jenë shkaktarë kryesor për rënien e investimeve të huaja për mbi 12 për qind gjatë periudhës prill-qershor të këtij viti. Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se çështjet e hapura me Serbinë duhen mbyllur sa më shpejtë në mënyrë që investitorët të mos kenë pasigurinë se çka do të ndodhë në Kosovë, nëse duan të investojnë. Ndërkaq, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mohon të ketë pasur rënie të investimeve, derisa krekosen se në muajt janar-gusht 2023 ka rritje për 4.3 milionë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas raportit “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë TM2 2023” të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thuhet se investimet e huaja direkte në periudhën prill-qershor 2023 rezultojnë të kenë shënuar rënie prej 12.5 për qind, duke arritur vlerën prej 184.4 milionë euro, transmeton lajmi.net.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se situata aktuale Kosovë-Serbi është ndër arsyet kryesore për rënien e investimeve të huaja direkte në vend. Ai shton se shkak mund të jetë edhe se investitorët potencial janë duke e hulumtuar tregun.

Rafuna potencon se duhet avancuar me politika fiskale dhe duhet eliminuar barrierat administrative në mënyrë që Kosova të bëhet një ambient i të bërit biznes.

Ai shtoi po ashtu se qeveria duhet krijuar një Grup-punës për të shqyrtuar se cilat janë pengesat e të bërit biznes në Kosovë, krahasuar me vendet e rajonit.

Ndërkaq, profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku potencoi për KosovaPress, se Kosova në një periudhë pak më të gjatë nuk qëndron mirë me fluksin e investimeve të jashtme. Ai shtoi se situata e përgjithshme politike po ndikon në pengimin e investimeve të jashtme në vendin tonë.

Sadiku thekson se pavarësisht se Kosova ka një legjislacion të pavarur, që i përngjan atij të Bashkimit Evropian, ka ngecje në zbatimin e këtij legjislacion. Sipas tij, ky fakt mund të konsiderohet si arsye për rënien e investimeve të huaja.

Për kundër kësaj, Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, përmes një përgjigje me shkrim thonë se sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga BQK-ja, investimet e huaja direkte, kanë rritje e jo rënie. MINT-i potencon se ‘nëse krahasojmë periudhën janar-gusht 2023, me të njëjtën periudhë të vitit 2022, kemi rritje prej 4.3 milionë të vlerës së investimeve të huaja direkte (IHD)’.

Sipas raportit të BQK-së, rënia IHD-ve është evidentuar kryesisht në sektorët e patundshmërisë, ndërtimtarisë dhe sektorin e xehetarisë përfshirë guroret.

Ndërsa, investimet e huaja direkte të rezidenteve nga Kosova në vendet tjera kanë shënuar rritje në periudhën prill-qershor 2023, duke arritur vlerën prej 53.1 milionë euro (50.7 milionë euro në prill-qershor 2022), investime të destinuara në vendet e rajonit e të orientuara kryesisht në sektorin e patundshmërisë.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi