Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të shtunën përshëndeti “përparimin konkret” pas një takimi në Kiev me gjeneralët britanikë dhe francezë. Në takim u diskutua për forcimin e ushtrisë ukrainase dhe mënyrat për mbështetjen e shtetit ukrainas.
Shefi i shtabit të përgjithshëm britanik, gjenerali Tony Radakin, dhe homologu i tij francez, gjenerali Thierry Burkhard, zhvilluan bisedime me presidentin Zelensky, komandantin e përgjithshëm të Ukrainës, gjeneralin Oleksandr Syrskyi, dhe ministrin e mbrojtjes, Rustem Umerov.
“Ka përparim të prekshëm dhe detajet e para për mënyrën se si mund të dislokohet një kontingjent sigurie nga partnerët,” shkroi Zelensky në profilin e tij në X, duke përshkruar takimin.
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer po udhëheqin përpjekjet evropiane për të dërguar në Ukrainë atë që quhet “Trupa për sigurim dhe besueshmëri” pas arritjes së një armëpushimi.
Zelensky falënderoi Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën për lidershipin e tyre, duke thënë se “ky lloj bashkëpunimi, kur të gjithë janë të përqendruar në një rezultat të fortë, ndihmon në arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të besueshme për Ukrainën”.
“Po flasim për praninë ushtarake në tokë, në qiell dhe në det. Po flasim edhe për mbrojtjen kundërajrore dhe disa çështje të tjera të ndjeshme,” shtoi ai.
Gjenerali Burkhard, shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura franceze, deklaroi se kishin diskutuar për “opsione të sigurimit” që do të ofroheshin nga një koalicion ndërkombëtar.
“Bashkërisht dëshirojmë të garantojmë një paqe të fortë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, si një kusht thelbësor për sigurinë e kontinentit evropian,” tha Burkhard.
Qëllimi i përbashkët i vizitës, shtoi ai, ishte të “ruhet mbështetja vendimtare” për ushtrinë ukrainase në mënyrë që ajo të vazhdojë luftën kundër forcave ruse.
Një tjetër objektiv ishte të “përcaktohet një strategji afatgjatë për rindërtimin dhe transformimin e ushtrisë ukrainase”.