Bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së për armët bërthamore po përparojnë, ekspertët nisin punën për marrëveshjen

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi të shtunën se bisedimet bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës “po përparojnë” pas një takimi pozitiv.

SHBA-ja dhe Irani përfunduan raundin e dytë të bisedimeve për programin bërthamor të Teheranit në Romë, shtatë ditë pas bisedimeve jo të drejtpërdrejta në Muskat, të cilat të dyja palët i përshkruan si konstruktive.

Irani, i cili këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, shprehet i gatshëm të diskutojë për disa kufizime të veprimtarisë së tij atomike në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Araghchi ka negociuar për afro katër orë në Romë me të dërguarin e presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, përmes një zyrtari omanez që përcillte mesazhe mes tyre.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë dakorduar që ekspertët të fillojnë përgatitjen e një kornize për një marrëveshje të mundshme bërthamore. Araghchi tha se ekspertët do të takohen të mërkurën në Oman, përpara se ai të takohet sërish me Witkoff-in më 26 prill.

“Ishte një takim i mirë dhe mund të them se bisedimet po përparojnë. Kësaj radhe arritëm të kuptojmë më mirë një sërë parimesh dhe objektivash. Shpresoj që pas diskutimeve teknike të jemi në një pozitë më të mirë,” tha ministri iranian i jashtëm Abbas Araghchi për televizionin shtetëror.

Trump, i cili gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2018 u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Teheranit dhe fuqive botërore, ka kërcënuar me sulm ndaj Iranit nëse nuk arrihet shpejt një marrëveshje e re që do ta pengonte atë në zhvillimin e armëve bërthamore.

Kategoritë
BotaLajme