Bislimi: Krahu i djathtë i Radoiçiqit, i dyshuar për sulmin me granatë dore në Zveçan

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, duke komentuar distancimin e shtetit të Serbisë për shpërthimin në Ibër-Lepenc, ka thënë se Nemanja Radivojeviq, krahu i djathtë i kryeterroristit Milan Radoiçiq, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan para katër ditësh.

Siç thotë Bislimi, kjo tregon që edhe pse po distancohet, shteti i Serbisë vazhdon ta mbështesë dhe financojë Radoiçiqin, i cili sipas tij, po vazhdon të organizojë sulme në Kosovë.

Në një status në Facebook, Bislimi ka shkruar se zyrtarët serbë u patën distancuar edhe nga sulmi terrorist në Banjskë në shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Me një komunikatë të gjatë Lista Serbe u nxitua mbrëmë që të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kur pakçka dihej. Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, u distancua vetëm që të mund ta sulmojë Kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot tha që nuk deshi të nxitohej në distancim të hershëm. Ndërkohë, kështu kanë thënë edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit kur e vranë rreshterin e policisë sonë, Afrim Bunjakun. Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit. Dora e djathtë e tij, Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024, e që bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës”, ka shkruar ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Jashtëm Marko Gjuriq u distancuan nga shpërthimi që ndodhi të premten në mbrëmje në kanalin e Ibër-Lepencit, duke thënë se po u drejtohet gishti pa pasur prova.

Kategoritë
LajmeVendi