Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka mirëpritur në takim lamtumirës Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, i cili shoqërohej dhe nga pasuesi i tij në këtë pozitë, Eirik Nestås Mathisen.
Siç ka njoftuar ZKM, Bislimi ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e Norvegjisë ndaj Kosovës.
Më pas në këtë takim është folur për zhvillimet në Kosovë gjatë mandaiit të Qeverisë Kurti, ku sipas kumtesës zyrtare, Bislimi ka folur për “rritjen ekonomike e rritjen e punësimit, si dhe politikat sociale që përfshijnë shesat për fëmijë, gratë lehona, etj”.
“Më tej, u bisedua mbi situatën në vend dhe progresin e katër viteve të fundit, ku zëvendëskryeministri theksoi ndër të tjera rritjen ekonomike, rritjen e punësimit me theks tek të rinjtë dhe gratë, mbështetjen për herë të parë përmes shtesave për fëmijë dhe nënat lehona, fillimi i operimit në bilanc pozitiv i ndërmarrjeve publike, apo edhe sundimi i ligjit. Të arriturat e tjera të cilat ishin fokus i bisedës ishin edhe suksesi me liberalizimin e vizave, puna e zhvilluar në kuadër të Planit të Rritjes apo edhe rankimi i lartë i Kosovës në matjet dhe indekset ndërkombëtare që qëndrojnë si dëshmi e zhvillimit demokratik të vendit”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Siç thuhet në kumtesë, në këtë takim është folur edhe për marrëveshjen e Kosovës për Tregti të Lirë me EFTA, ku bën pjesë edhe Norvegjia.
“U vlerësua dhe arritja së fundmi e marrëveshjes për Tregti të Lirë me shtetet anëtare të EFTA-s, ku bën pjesë edhe Norvegjia, duke shtuar kështu mundësitë për shkëmbime dhe bashkëpunim më të madh ekonomik e tregtar mes nesh. Në këtë drejtim u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal, krahas thellimit të bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me shtetet e tjera të Evropës”, thuhet në komunikatë.