Bislimi pas takimit me Lajçakun: Pa nënshkrim të marrëveshjeve nuk mund të ecet drejt zbatimit

Gjatë ditës së sotme në Bruksel u zhvillua takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Pas takimit të zhvilluar me emisarin evropian, Mirosllav Lajçak kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se pa nënshkrim të marrëveshjeve të arritura deri më tani, nuk mund të ecet përpara drejt zbatimit të tyre.

Bislimi e ka konfirmuar se në takim me Lajçakun është diskutuar për një plan të sekuencuar të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për aneksin e zbatimit.

“Gjatë javës së kaluar, zoti Lajçak na e ka sjellë një draft të ri, i cili e fut për herë të parë paralelizmin e plotë në zbatimin e Marrëveshjes, apo zbatim më të balancuar, dhe ne jemi përpjekur që për këtë draft t’i japim komentet finale, në mënyrë që i njëjti të jetë i pranueshëm edhe për palën tonë. Mendoj se ka pasur gatishmëri të madhe të Lajçakut që t’i akomodojë propozimet tona dhe të gjitha janë argumentuar mirë në detaje”, ka thënë Bislimi, pas takimit.

I pyetur nëse është diskutuar për draft-statutin për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – të dorëzuar nga një delegacion perëndimor javë më parë në Prishtinë e Beograd – Bislimi ka thënë se kjo pikë ka qenë në agjendë, por pala kosovare e ka bërë të qartë qëndrimin e vet qysh më 26 tetor, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar me zyrtarët perëndimorë.

Ai ka thënë se duhet të ketë nënshkrim të draft-statutit dhe Marrëveshjes për normalizim, në mënyrë që ato të zbatohen.

“Nuk mund të nisë zbatimi [pa nënshkrim], sepse duhet garancia që kemi një marrëveshje valide, që sjell obligime edhe për palën tjetër”, u shpreh Bislimi.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi