Bizneset s’guxojnë të dërgojnë sms marketingu te qytetarët

Për festa e përvjetorë qytetarët marrin mesazhe reklamuese e edhe telefonata.

Bile edhe kur nuk kanë qenë paraprakisht konsumatorë të kompanisë, e as kanë pranuar të ndajnë numrin e telefonit.

E Agjencia për Informim dhe Privatësi ka hartuar udhëzues, që do të inspektojë bizneset që bëjnë marketing në mënyrë jo të duhur.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka hartuar Udhëzuesin për Përpunimin e të Dhënave Personale për Qëllim të Marketingut të Drejtpërdrejtë, i cili iu ofron kontrolluesve dhe përpunuesve të të dhënave personale që aplikimin e marketingut të drejtpërdrejtë ta realizojnë në bazë të legjislacionit përkatës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ligjit për komunikime elektronike.” thuhet në një përgjigje të AIP-së për Klan Kosova.

Sipas AIP-së bizneset duhet të sigurojnë edhe mundësinë e kundërshtimit  nga ana e personave që i telefonojnë, qoftë përkohësisht e edhe përherë.

“Ligji për Komunikime Elektronike, si ligj përkatës, parasheh se shfrytëzimi i sistemeve automatike të thirrjeve pa intervenim të njeriut (makinat automatike të thirrjes), makinat e faksimilit (faksi) ose posta elektronike për qëllimet e marketingut të drejtpërdrejtë mund të lejohen vetëm për parapaguesit, të cilët më parë kanë dhënë pëlqimin.

Gjithashtu, kontrolluesit dhe përpunuesit (bizneset) duhet të sigurojnë edhe mundësinë e kundërshtimit nga ana e subjektit të të dhënave, në mënyrë që qytetari në çdo kohë të ketë mundësi të kërkojë me shkrim që kontrolluesi i të dhënave të ndërpres në mënyrë të përhershme ose të përkohshme përdorimin e të dhënave personale të tij ose të saj për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë.” thuhet tutje në përgjigjen e Agjencisë.

E që nga lajmërimi i djeshëm, kanë pranuar 3 ankesa në mënyrë elektronike, derisa para këtij lajmërimi ka pasur 14 ankesa.

Bizneseve të raportuara pas shqyrtimit të ankesave do tu shkatërrohen të dhënat e grumbulluara pa pëlqimin e qytetarëve.

Por nëse diçka e tillë përsëritet, AIP shqipton gjobë për kompaninë.

Kategoritë
Ekonomi