Biznesmenë shqiptarë nga Turqia të interesuar për investime në Komunën e Gjilanit

“Jemi të interesuar për investime në fushën e prodhimit në Komunën e Gjilanit dhe më gjerë”, tha kryetari i Shoqatës së Bizneseve Shqiptare në Türkiye, Gokhan Biçen.

Një grup biznesmenësh nga Shoqata e Bizneseve Shqiptare në Türkiye kanë vizituar Komunën e Gjilanit ku kanë shprehur interesim për investime në fushën e prodhimit.

Siç njofton Komuna e Gjilanit, biznesmenët e kësaj shoqate u pritën në ndërtesën e Komunës së Gjilanit nga nënkryetarët e kësaj komune Leonora Morina Bunjaku dhe Kadir Hyseini.

Morina Bunjaku në emër të Kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, i ka falënderuar mysafirët nga Türkiye për kontributin e dhënë para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, posaçërisht në Komunën e Gjilanit.

Morina Bunjaku u zotua se Komuna e Gjilanit do të bashkëpunojë me bizneset shqiptare nga Türkiye të cilat janë të mirëpritura për investime.

“Prioritet i kryetarit Hyseni dhe komunës është zhvillimi ekonomik. Kemi politika tërheqëse lokale për thithjen e investimeve. Pas përfundimit të procedurave do të bëhet edhe Zona Ekonomike, ku bizneset do të kenë të gjithë infrastrukturën adekuate”, tha Morina Bunjaku.

Ajo ftoi bizneset shqiptare dhe turke që të vijnë dhe të investojnë në anën e Anamoravës, duke shtuar se, “Jemi të hapur për bashkëpunim të zhvillimit ekonomik dhe më gjerë”.

Kryetar i Shoqatës së Bizneseve Shqiptare në Türkiye, Gökhan Biçen, falënderoi zyrtarët e komunës për pritjen.

“Jemi të interesuar për investime në fushën e prodhimit në Komunën e Gjilanit dhe më gjerë”, tha Biçen.

Biçen tregoi se kanë ardhur rreth 20 përfaqësues të bizneseve shqiptare nga Türkiye me qëllim të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Kategoritë
Ekonomi