Biznesmeni kosovar: Nga viti i ardhshëm do të marr punëtorë nga Indonezia e Pakistani

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar dhe largimi i tyre nga vendi, kanë bërë që afaristët të shikojnë mundësitë të marrin punëtorë nga Pakistani dhe Indonezia. Prodhuesit kërkojnë fokus të institucioneve në aftësim profesional në sektorët prodhues. Ministrja Rozeta Hajdari thotë se kjo çështje është në prioritet të qeverisë dhe se duhet të ketë më shumë bashkëpunim mes sektorit publik e privat.

Njazi Musliu është pronar i fabrikës së konstruksioneve të çelikut, e cila tërë prodhimin e eksporton në shumë vende të Bashkimit Evropian, por jo vetëm. Ndonëse ka rreth 80 të punësuar, ai thotë se ndër problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet, është mungesa e punëtorëve profesional. Si rrjedhojë e kësaj situate dhe shkëputjes në mes sektorit privat dhe institucioneve arsimore, nga viti i ardhshëm ai pohon se do të marrë punëtorë nga Pakistani dhe Indonezia.

“Jemi në negociata me disa kompani turke të cilat po i sjellin punëtorët edhe nga Indonezia dhe Pakistani. Jam duke menduar të rregullojë një strehim për ta. Vitin e ardhshëm kemi mundësi me i punësua deri në 50 punëtorë”, tha Musliu.

“Ju e dini që në 20 vitet e fundit kemi shumë intervenime e bashkëpunime në arsimin profesional, por nëse nuk e kemi sektorin privat të angazhuar dhe shumë proaktiv nuk do të kemi përafrim të profileve me nevoja të tregut. Këtë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është duke e treguar në çdo raport, por edhe Ministria e Industrisë përmes analizave të sektorit të përpunimit ku shumë profile vuajnë për të pasur më shumë inxhinierë nga profilet tre katër që janë vetëm të shkollës së mesme e mos të flasim për nivelin e lartë”, tha Hajdari.

Në Kosovë ndonëse ka veprime e janë hapur profile të reja në 4 shkolla profesionale, si ajo e floktarisë, murator dhe hotelerisë, afaristët po kërkojnë fokus dhe koordinim të tillë në sektorët prodhues.

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi