Blinken dhe Lavrov takim të shkurtër në margjinat e konferencës G20 në New Delhi

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov biseduan për 10 minuta në margjinat e konferencës G-20 në New Delhi të Indisë

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov zhvilluan sot takim të shkurtër në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të G-20, takimi i parë i nivelit të lartë midis dy vendeve në muajt e fundit, transmeton Anadolu.

Zyrtarët amerikanë thanë se Blinken dhe Lavrov folën për 10 minuta në margjinat e konferencës G-20 në New Delhi të Indisë.

Takimi u zhvillua në një kohë kur marrëdhëniet midis Washingtonit dhe Moskës janë përkeqësuar ndjeshëm në mes të luftës në Ukrainë.

Një zyrtar amerikan i cili nuk deshi të zbulojë emrin u tha gazetarëve se Blinken e shfrytëzoi bisedën për t’i treguar Lavrovit tre pika: se SHBA-ja do të mbështesë Ukrainën në konflikt për aq kohë sa të jetë e nevojshme për t’i dhënë fund luftës, Rusia duhet të ndryshojë vendimin e saj për pezullimin e pjesëmarrjes në marrëveshjen START i ri, sipas së cilës Moska dhe Washingtoni angazhohen për komunikim të rregullt në lidhje me statusin e arsenalit të tyre bërthamor dhe Rusia të lirojë amerikanin e kapur Paul Whelan.

Zyrtari nuk pranoi të komentojë përgjigjen e Lavrovit, por tha se Blinken nuk kishte përshtypjen se do të ketë ndonjë ndryshim në sjelljen e Rusisë në të ardhmen e afërt.

Pala ruse ende nuk është prononcuar lidhur me takimin.

Kategoritë
BotaLajme