Blinken prezanton në Kiev paketën e re të ndihmës ushtarake, përfitojnë dhe Shqipëria e Kosova

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken po zhvillon një vizitë në Kiev, ku prezantoi paketën e re prej 2.2 miliardë dollarësh për sigurinë dhe ripërsëriti mbështetjen e administratës Biden për kundërofensivën e Ukrainës për të sprapsur forcat ruse në lindje dhe jug të vendit.

Kjo është vizita e dytë e zyrtarit të lartë amerikan në kryeqytetin ukrainas që prej nisjes së ofensivës ruse në muajin shkurt, e cila vjen në një kohë kur Ukraina po shënon progres në tentativat e saj për të marrë kontrollin e qytetit të Kharkiv.

Blinken u takua me presidentin Zelensky në një prej ndërtesave presidenciale të fortifikuara nga ku u shpreh se vizita e tij në Kiev vinte në një moment kyç.

Presidenti Zelensky shprehu nga ana e tij mirënjohjen e popullit ukrainas për mbështetjen e madhe që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë që Ukraina të rimarrë territoret që i përkasin.

Më pas, Blinken u takua dhe me ministrin e Jashtëm, Kuleba, me të cilin vizitoi një spital fëmijësh.

Sekretari i Shtetit prezantoi paketën 2.2 miliardë dollarëshe për financimin ushtarake të Ukrainës dhe 18 vende të tjera të konsideruara të rrezikuara nga një agresion i mundshëm nga ana e Rusisë.

Mes vendeve të tjera që përfitojnë nga kjo paketë ndihme ushtarake janë Shqipëria, Kosova, Bosnja, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Gjeorgjia, Greqia, Letonia, Lituania, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Romania, Sllovakia dhe Sllovenia.

Kategoritë
BotaLajme