“Bllokimi” i liberalizimit: Kjo ishte deklarata që Spanja dha për vizat para disa ditësh

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, ka qenë temë diskutimi brenda Bashkimit Evropian muajve të fundit.

Në lidhje me këtë, Çekia, që e udhëheq Presidencën e BE-së, kishte bërë një propozim që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhej me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS, ashtu siç ka kërkuar edhe Franca, por në të njëjtën kohë të caktohej edhe data e fuqizimit të vendimit, e kjo të bëhet jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023, shkruan lajmi.net.

Megjithatë, nga burime diplomatike nga REL, është mësuar që se “së paku dy shtete” e ndërprenë këtë procedurë dhe penguan që propozimi të marrë dritën e gjelbër.

Nga shtetet që raportohet të ketë paraqitur vërejtje, është Spanja. Por edhe disa shtete tjera kanë kërkuar më shumë sqarime.

Pikërisht në lidhje me këtë çështje, kujtojmë se lajmi.net ka dërguar pyetje tek Spanja, për të kuptuar se cili është qëndrimi i saj në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, dhe për të parë se ku qëndrojnë raportet mes saj dhe Kosovës.

Në një përgjigje dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës, nuk është bërë e ditur saktësisht qëndrimi i tyre sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në përgjigjen e tyre para disa ditësh, deklarohej se kjo çështje sapo ka filluar të trajtohet në Bruksel dhe do të ndjek procedurën e saj normale.

“Diskutimi i parë i përgjithshëm është mbajtur së fundmi në Grupin Punues për Viza dhe raporti është duke u punuar. Kjo çështje sapo ka filluar të trajtohet në Bruksel dhe do të ndjek procedurën e saj normale, gjatë së cilës do të specifikohen qëndrimet e shteteve të ndryshme anëtare”, kanë thënë nga zyra për komunikim e MPJ-së së Spanjës.

Pos këtyre, duhet shtuar se për dallim nga disa vende anëtare të BE-së, Komisioni Evropian ka kërkuar që Kosovës t’i liberalizohen vizat, meqë ata kanë pohuar se tashmë të gjitha kriteret janë përmbushura. /Lajmi.net/

 

Kategoritë
LajmeVendi