Bllokohet lëshimi i dokumenteve në ambasadën e Kosovës në Austri, MPJD konfirmon rastin

Një qytetar është ankuar të hënën se ka tetë ditë që nuk po lëshohen dokumentet në Ambasadën e Kosovës në Vjenë, me arsyetimin se nuk po funksionon sistemi. Lidhur me këtë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka premtuar se problemi do të evitohet më së largu ditën e nesërme.

MPJD ka konfirmuar se shërbimi Konsullor në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, në javën e fundit është përballur me disa probleme teknike.

“Shërbimi Konsullor në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, në javën e fundit është përballur me disa probleme teknike në sistemin e aplikimeve për pasaporta dhe letërnjoftime, për evitimin e të cilit është duke u punuar intenisivisht nga ekipet përgjegjëse. Problemi që lidhet me një pajisje harduerike do të evitohet plotësisht më së largu ditën e nesërme”, tha MPJD, raporton Express.

Tutje, në përgjigjen e MPJD-së thuhet se sistemi për lëshimin e dokumenteve personale mënaxhohet e mirëmbahet nga MPB.

“Për informimin tuaj, që nga viti 2009 kur edhe ka filluar lëshimi i dokumenteve personale, sistemi i aplikimeve, qoftë për pasaporta, letërnjoftime apo certifikata, menaxhohet dhe mirëmbahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjegjësisht Divizioni për Prodhimin e Dokumenteve. Ndërsa MPJD jep vetëm mbështetje profesionale kur një gjë e tillë kërkohet.Megjithatë DPD po merret me çështjen dhe funksionalizimi i plotë i sistemit është vetëm çështje orësh”, përfundon përgjigja e tyre.

Kategoritë
LajmeVendi