Bojkot marketesh dhe dyqanesh në disa vende të Ballkanit, iniciatorët ankohen për çmime të larta

Ky aksion fillimisht ka nisur në Kroaci, ndërsa është mbështetur edhe në Maqedoninë e Veriut, Slloveni, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Qytetarët në disa vende të Ballkanit sot po i bojkotojnë marketet për shkak të, siç thonë iniciatorët, çmimeve të larta.

Ky aksion fillimisht ka nisur në Kroaci, ndërsa është mbështetur edhe në Maqedoninë e Veriut, Slloveni, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi.

“Kjo është një mënyrë për të treguar pakënaqësinë tonë me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, ndërkohë që pagat e qytetarëve mbeten të ulëta. Një ditë bojkoti mund të dërgojë një mesazh të fortë”, thuhet në mesazhin i cili po përhapet në rrjetet sociale dhe forumet onlajn.

Bojkoti u iniciua nga platforma konsumatore “Përshëndetje, inspektor” në Kroaci, e cila u bëri thirrje qytetarëve që të bojkotojnë edhe më fort dhe të përmbahen nga të gjitha format e blerjes së produkteve.

Në Maqedoninë e Veriut, bojktoi njëditor është mbështetur me thirrje në rrjetet sociale.

Ndërkohë që kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka shprehur mirëkuptim disa herë në ditët e fundit dhe ka paralajmëruar shtim të kontrolleve dhe ndëshkimeve për tregtarët që shkelin ligjin dhe masat për mbrojtjen e standardit jetësor.

Në Serbi, thirrja për bojkot është bërë nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve “Efektiva”. Ata deklaruan se krahasimet shumëvjeçare tregojnë se qytetarët serbë paguajnë dukshëm më shumë për ushqime dhe detergjentë sesa konsumatorët në Evropë.

Me thirrjen e “Alternativa e Malit të Zi”, qytetarët po bojkotojnë sot pa përjashtim supermarketet dhe dyqanet, duke besuar se çmimet e larta prekin njësoj të gjithë qytetarët.

Fushata po zhvillohet edhe në Bosnjë e Hercegovinë, ku në ftesën për bojkot thuhet se çmimet janë jashtëzakonisht të larta. Përveç zinxhirëve të shitjes me pakicë, po bojkotohen edhe pikat e karburantit, furrat e bukës dhe kafenetë.

Në Slloveni po zhvillohet bojkot i blerjeve në qendra tregtare dhe supermarkete të caktuara. Bojkoti njoftohet se do të zgjasë deri më 2 shkurt, pas së cilës qytetarët janë të ftuar të vazhdojnë bojkotimin e rrjeteve të tjera të shitjes me pakicë nga data 3 deri më 9 shkurt.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni